Kuvendi anuloi mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Alibeaj: Nuk ishte e habitshme që do bëheshin pengesë për drejtësinë

Pasi deputeti Alqi Bllako dorëzoi kërkesën për të lënë mandatin e deputetit, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi se ishte anuluar mbledhja e Këshillit të Mandateve e cila ishte parashikuar të mbahej sot në orën 18:00.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediet u shpreh se gjatë gjithë ditës së sotme ka pritur te dera e Kuvendit për një nga ngjarjet më të mëdha, siç e cilëson ai, mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe të Rregulloreve.

Alibeaj: Është publik fakti që SPAK ka kërkuar me shkresë  heqjen e imunitetit të deputetit Bllako. SPAK ka paraqitur në datën 29 këtë kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Kjo ë2shtë një kërkesë brenda gjithë kornizës proceduriale, siç ligji duhet të zbatohet dhe institucionet duhet ta zbatojnë ligjin. Në mënyrë të habitshme për këdo dhe për ne deputetët vjen një njoftim sipas të cilit kryetarja e Kuvendit në mënyrë antiligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën ka vendosur anulimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe të Rregulloreve.

Nga momenti që kryetari i Kuvendit thërret Këshillin e Mandateve kompetenca i kalon këtij Këshilli. Është ai që duhet të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën e SPAK. Është Këshilli ai që vendos dhënien e autorizimit ose jo, pra heqjen e imunitetit ose jo. Pa këtë përgjigje e gjithë procedura e mëtejshme hetimore e procedimit penal ka një mungesë, ka një mangësi. Nuk ishte e habitshme për ne, nuk ishte i habitshëm fakti që do të anulohej mbledhja e Këshillit duke ju bërë pengesë drejtësisë sepse ngelet pa përgjigje kërkesa e Prokurorisë.

Alibeaj shtoi se është e drejta e Bllakos që të japë dorëheqjen, por kjo nuk ndikon në detyrimin që kanë deputetët, anëtarët e Këshillit për tu shprehur për kërkesën e Prokurorisë. Ndërkohë 5 deputetë të opozitës, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Saimir Korreshi dhe vetë Enkelejd Alibeaj kanë firmosur një kërkesë drejtuar Kuvendit ku i kërkojnë që të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve.