"Grup i strukturuar kriminal", Braimllari: Bllako të mbajë përgjegjësi, por koka Rama e Veliaj

Deputeti socialist Alqi Bllako pritet të arrestohet në lidhje me aferën e incineratorit të Fierit. SPAK i ka dërguar kërkesën Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestin me burg. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari në një intervistë për Ora News me gazetarin Arnold Karriqi u shpreh se Bllako nuk është koka e madhe në raport me dosjet që ka dorëzuar LSI.

Braimllari: Koka e madhe është Edi Rama, Erion Veliaj, janë ministrat e Edi Ramës. Patjetër që personi në fjalë mban përgjegjësi për atë që ka bërë. Çështja e incineratorëve është një çështje e cila funksionon si grup i strukturuar kriminal, një strukturë e cila është e bazuar te abuzimi drejtpërdrejt i qeverisë i frymëzuar nga Edi Rama.

LSI ka inkurajuar SPAK që të vazhdojë përpara në këtë proces me qëllim që të shkojë aty ku është përgjegjësia më e madhe e zyrtarëve më të lartë. Braimllari tha se ka një vonim të kësaj procedure pasi LSI e ka depozituar kallëzimin rreth 1 vit e gjysmë më parë.

Braimllari: Ajo që ne duhet të shohim ka të bëjë me përgjegjësinë e Edi Ramës. nëse nuk ka një hetim, marrje në pyetje të kryeministrit, ministrave të tij, të kryetarit të bashkisë Tiranë dhe atij të Fierit nuk themi se është një proces korrekt në respektim të ligjit, por një proces i dirigjuar. Të gjithë këta personazhe po mbajnë peng ekonominë shqiptare duke futur këto firma në mënyrë fiktive në çdo procedurë tenderi në mënyrë që të fitojnë çdo para të buxhetit të shtetit dhe t'i fusin në xhepat e tyre.

Braimllari u shpreh se kemi një sistem të ngritur mbi bazën e një strukture e cila kooperon thjesht për të abuzuar drejtpërdrejt mbi qytetarët dhe jo për t'i shërbyer qytetarëve.