Kush janë 9 të arrestuarit e incineratorëve
SPAK ka vendosur ti shtojë ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka disa muaj pas arrestimit, akuza të reja për incineratorin e Fierit. Prokuroria ka firmosur 9 urdhra arresti të rinj që përfshijnë ish-anëtarët e komisioneve të prokurimit të incineratorëve të Elbasanit e Fierit të akuzuar për shpërdorim detyre. Masa e sigurisë është vendosur nga gjykata edhe për drejtorin e Albpetrolit por edhe për ish-zyrtarë të Bashkisë së Fierit.
Prokuroria e posaçme Antikorrupsion ka firmosur edhe 9 urdhra arresti të rinj në lidhje me çështjen e incineratorëve.
Mes të akuzuarve tashmë nën një masë të re sigurimi arrest me burg është ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim.
Akuza e re ndaj tij bën fjalë për incineratorin e Fierit, ndërkohë që më herët ish-ministrit i janë njoftuar të njëjtat akuza dhe masa e arrestit për incineratorin e Elbasanit.
Në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka të datës 26 mars 2022, caktohet masa e arrestit me burg ndaj ish-zyrtarit të ministrisë së mjedisit, Pëllumb Abeshi, nga Elbasani, i akuzuar për shpërdorim detyre si ish-kryetar i Komisionit të Prokurimit të incineratorit të Elbasanit.
Po kështu nën arrest për shpërdorim detyre është vendosur edhe shtetasi Azem Shatëri, ish-drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit në Bashkinë e Fierit, dhe shtetasi Arenc Myrtezani, ish-administrator i inceneratorit të Fierit, i akuzuar për korrupsion.
Të pandehur të tjerë nga SPAK, për veprën penale shpërdorim detyre, janë Florian Muçaj, drejtor i Albpetrol, Erjon Murataj ish-anëtar i Komisionit të Prokurimit për incineratorin e Tiranës, Sabina Cenameri, ish-anëtare e Komisionit të Prokurimit të incineratorit të Fierit, dhe Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit të Prokurimit për incineratorët.
Edhe për këtë episod, SPAK ka kërkuar masë arresti për shtetasin Klodian Zoto, pronar i incineratorit të Elbasanit dhe Tiranës, i akuzuar për “Korrupsion” dhe pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se ka pasur shkelje ligjore në procedurat e ndjekura për incineratorët e Elbasanit dhe Fierit ndërkohë që paratë e dhëna nga shteti janë përvetësuar nga të pandehurit si produkt I veprës penale.
