Alfred Balla zgjidhet kreu i ri i KLP-së, kandidati i vetëm që shprehu interes për postin
Alfred Balla është zgjedhur kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas përfundimit të mandatit të Gent Ibrahimit. Balla ishte i vetmi që shprehu interesin nga radhët e kandidatëve jo prokurorë ndërkohë që pa hedhjes në votim, ka marrë mbështetjen e 10 anëtarëve të KLP.
Me 10 vota pro Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi kryetarin e ri, pas përfundimit të mandatit të kryetarit të mëparshëm Gent Ibrahimi.
Kandidati i vetëm që shprehu interes dhe u shpall fitues ishte Alfred Balla, i cili ka mbajtur deri tani postin e nënkryetarit. Ai paraqiti platformën e tij para anëtarëve duke u shprehur si plotësonte kriteret.
Alfred Balla: Mendoj se kam disa karakteristika që plotësoj kriteret për këtë post.
Por ndonëse votuan pro emërimit të tij në këtë post, anëtarët e KLP nga radhët e prokurorëve u shprehën se procedura u zhvillua pa garë reale.
Bujar Sheshi: Është një detyrë që kërkon përgjegjshmëri të lartë. E kam lexuar me vëmendje platformën tuaj. Por duhet përqëndroheshit më shumë në të kaluarën e institucionit, në angazhimin tuaj, në permirësimin e tyre. Ju kishit një ftesë për ndryshimet ligjore që KLP duhet ti paraqesë kuvendit dhe nuk morët asnjë mendim nga anëtaret. Ne kemi bërë një rregullore dhe nuk i keni zbatuar këtë kohë që keni ushtruar këtë detyrë i komanduar. Ndihem i keqardhur se sot mendoja se do kishim një garë.
Ndërsa anëtari tjetër Sokol Stojani, tha se kjo situatë tregon se ka nevojë për ndryshime ligjore në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të këshillit të prokurorisë.
Sokol Stojani: Duhet të kishit identifikuar çfarë nuk ka shkuar më parë me Prokurorinë e Përgjithshme ose Ministrinë e Drejtësisë. Duhet të ishte përmendur nga ana juaj në platformë. Ky Këshill zgjati afatin me 3 javë për të patur kandidatura në mënyrë që të shihnim vizionin e kandidatëve. Gjatë kësaj periudhe morëm informacion se ishit liruar nga hetimi disiplinor i nisur 6 muaj më parë nga ILD. Do ishte mirë që të kishit identifikuar problemet në platformën tuaj. Ka nevojë për ndryshime ligjore për menyrën e zgjedhjes së kryetarit.
Balla do të qëndrojë ne krye te KLP-së për dy vjet deri ne përfundimin e mandatit në KLP.
Por në rregulloren e këshillit të lartë të prokurorisë janë parashikuar edhe rastet kur Këshilli Vendor të ndërpresë mandatin e kryetarit dhe nënkryetarit ne rastet kur vërtetohet se nuk ka zbatuar detyrat funksionale, kryen shkelje te etikes së magjistratit, ndaj tij vendoset masë disiplinore, ka humbur besimin e këshillit ose kur jep dorëheqjen nga funksioni


