Nën akuzë se vrau me thikë biznesmenin italian, arrestohet marangozi shqiptar
Një emigrant shqiptar në Itali është arrestuar nga policia me akuzën e vrasjes së biznesmenit Tomaso Dini, 50 vjeç, më 27 mars në Firence.
I dyshuari është Ilir Leba, 48 vjeç, prej disa vitesh me qëndrim në Itali, i cili bashkë me të vëllain kishte punuar në ndërtim.
Viktima e ngjarjes së rëndë, Tomaso Dini, punonte si agjent imobiliar, zhvillues i pasurive të paluajtshme dhe kishte aktivitet në disa biznese restorantesh.
Ai është përballur me autorin në orën 2 të mëngjesit në Piazza Matteotti, një lagje e vjetër e qytetit ku kishte edhe zyrat e agjencisë së tij të shitblerjes së pasurive.
Dëshmitarët kanë thënë se shqiptari Ilir Leba, i ka dalë para biznesmenit me një thikë në dorë dhe mes tyre ka pasur një debat fillimisht me fjalë.
Dialogu mes dy personave është acaruar më tej në të bërtitura dhe më pas, në një përleshje ku shqiptari e ka qëlluar biznesmenin të paktën 15 herë me thikë në gjoks dhe në gjithë trupin.
Pas sulmit, 48-vjeçari shqiptar është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes duke lënë viktimën të rrëzuar përtokë. Skena e krimit është parë nga personat që ndodheshin në një restorant.
Dëshmitarët thanë se disa metra larg vendit të vrasjes shqiptari e ka hedhur thikën në tokë.

Disa persona i kanë shkuar në ndihmë biznesmenit të plagosur rëndë, i cili u dërgua pa ndjenja në spital ku megjithëse qëndroi në jetë gjatë natës, në fund nuk arriti të mbijetojë duke lënë pas gruan dhe dy vajza të mitura.
Karabinierët kanë zbardhur ngjarjen bazuar në pamjet e kamerave në zonën ku ndodhi vrasja megjithatë thika e përdorur nga autori ende nuk është gjetur.
Autori i akuzuar për vrasjen, Ilir Leba, punonte si marangoz dhe ishte banues në Scandicci.
Policia ka thënë se shqiptari njihej me biznesmenin italian. Ai është ortak në një kompani ndërtimi me vëllain e Dinit, dhe banon afër vendit ku jetonte viktima.
Mediat italiane raportojnë se ka dyshime se mes tyre ka pasur mosmarrëveshje në të kaluarën lidhur me pagesën për një punë të kryer nga 48-vjeçari shqiptar.
Ky i fundit ka pasur një precedent policor shumë kohë më parë.