“Fshihet” dosja e incineratorëve, Tabaku: SPAK të përgjigjet për 7 ministrat e zyrtarët e qeverisë
Hetimi i dy kontratave të incineratorëve vazhdon të zvarritet duke mos dalë në asnjë përfundim. Jorida Tabaku, duke folur me emra ministrash dhe kryetarë të bashkive ka kërkuar nga SPAK informacion konkret për ecurinë e akuzës. Ajo thekson se në këtë kohë krize shqiptarët meritojnë përgjigje të shpejtë për aferën sipas saj 430 milionë euroshe.
Heshtja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion sa i përket dosjes së incineratorëve ka krijuar shqetësim mes deputetëve të opozitës.
Jorida Tabaku i ka dërguar SPAK një kërkesë për informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve për 7 paditë e depozituara për Erion Veliajn, Emiriana Sakon, Alqi Bllakon, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn, Ëngjëll Agaçin dhe Armando Subashin.
Zyrtarët publikë janë akuzuar për korrupsion, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim i produkteve të veprës penale, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Në shkresë, Tabaku bën me dije se në total është depozituar kallëzim për 32 persona, përfshirë këtu dhe kreun e qeverisë, Edi Rama.
Ajo deklaron se edhe në këtë kohë krize dhe inflacioni të lartë, shqiptarët po e paguajnë më shtrenjtë incineratorin e Tiranës.
Ndaj dhe ngre alarmin për vonesën e daljes me konkluzion për dosjen 430 milionë euroshe që shqiptarët janë detyruar të paguajnë.


