Pallati buzë detit “muze” i tërmetit, banorët ankohen për vonesën e rindërtimit në Durrës

Teksa Durrësi po bëhet gati për sezonin e ri turistik, në vijën bregdetare bien në sy disa pallate të dëmtuar nga tërmeti ku rindërtimi ende nuk ka nisur. Banorët thonë se ata janë shndërruar për turistët si muze të pasojave të 26 nëntorit 2019.

Të çarat në muret e këtij pallati në Durrës kanë mbetur dëshmi e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Objekti ndodhet në vijën e parë të plazhit dhe puna për rindërtimit aty ende nuk ka nisur.

"Ka dy vite e gjysmë që nuk ka ardhur njeri ta shikojë. Kjo është vija e parë dhe nuk e di pse e kanë lënë pas dore. Kushdo turist që kalon, telefonat në dorë dhe i bëjnë foto pallatit si qendër muzeale e tërmetit".

Ata thonë se i janë drejtuar disa herë bashkisë së Durrësit, por institucioni i drejtuar nga Emirjana Sako nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

"DS4 pallati duhet restauruar. Bashkia thotë se kemi parë që ka qenë vija e parë. Ka 2 vjet që ka rënë tërmeti dhe nuk është bërë asgjë. Kërkojmë nga institucionet të ndërhyjnë".

Durrësi ishte bashkia e më e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe në vazhdimësi, banorët janë ankuar për vonesa në procesin e rindërtimit.