Marrëveshja bërthamore me Iranin/ Negociatori i lartë evropian Enrique Mora diskutime në Tehran, pastaj në Washington
Një marrëveshje e re me Iranin për armatimin bërthamor duket se është në horizont. Administrata Biden është e vendosur për të mos e lejuar Iranin të pajiset me armë bërthamore, sepse sipas saj do të sillte probleme në rajon, por po shtyn përpara një marrëveshje të re. Kryenegociatori evropian për këtë marrëveshje ishte këtë të diel në Tehran për të diskutuar një draft përfundimtar ndërsa pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit më pas.
IPalët e përfshira në bisedime në Vjenë për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin ngjan se janë drejt përfundimit të një drafti të dakordësuar nga të gjitha palët.
Këtë të diel ka udhëtuar drejt Tehranit negociatori i lartë i Bashkimit Evropian Enrique Mora për të takuar palën iraniane për diskutime më të thelluara për çështjen. Koordinatori i BE-së për bisedimet bërthamore me Iranin u takua Ali Bagheri Kanin, zyrtarin Iranian që ka udhëhequr ekipin e negociatorëve të Iranit në Vjenë që nga nëntori.
Palët synojnë që të ringjallin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 që u arrit nga administrate Obama por u braktis nga administrate Trump. Iranianët kërkojnë që të arrijnë një marrëveshje dhe kanë thënë se marrëveshja mund të arrihet "nëse pala amerikane është realiste".
Të dy zyrtarët e lartë ranë dakord të vazhdojnë konsultimet nga afër në ditët në vijim, ndërsa Mora niset për në Uashington nga Teherani. Koordinatori i BE-së zhvilloi gjithashtu bisedime me ministrin e Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian.
EFEKT
Në tavolinën e bisedimeve në Vjenë janë ulur Irani, Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e tavolinës por janë vendimtarë për arritjen e saj. Edhe kryediplomati evropian Borrell është shprehur se marrëveshja është afër po nevojiten diskutime për disa çështje specifike.
Një nga pikat që e pengon marrëveshjen deri më tani është kërkesa e Iranit për heqjen nga lista e zezë amerikane Gardës Revolucionare Islamike iraniane. Iranianët janë të gatshëm që të firmosin një marrëveshje nëse amerikanë mbajnë qëndrim për zgjidhjen e këtij problemi, thonë diplomatët iranianë.
Administrata Biden është e vendosur për të ringjallur marrëveshjen bërthamore me Iranin por në të njëjtën kohë po merr në konsideratë edhe vërejtjet e aleatëve për një marrëveshje të re dhe implikimet e saj në situatën rajonale në Lindjen e Mesme.

