Parlamenti i Ukrainës: Rusia po qëllon në reaktorin bërthamor në Kharkiv
Forcat ruse po qëllojnë sërish në një objekt kërkimor bërthamor në Kharkiv, ka thënë parlamenti ukrainas.
Parlamenti i vendit tha se aktualisht nuk është e mundur të përcaktohet shkalla e dëmit të sulmit.
"Aktualisht është e pamundur të vlerësohet shkalla e dëmit për shkak të armiqësive që nuk ndalen në zonën e instalimit bërthamor," citonte postimi i Inspektoratit Shtetëror Rregullator Bërthamor.
Forcat ruse qëlluan për herë të fundit mbi një objekt të reaktorit bërthamor në qytet më shumë se dy javë më parë duke goditur një ndërtesë ku ka pajisje që mund të lëshojnë rrezatim nëse dëmtohen.
Bombardimet i vunë flakën ndërtesës, e cila më pas u shua nga zjarrfikësit. Objekti i kërkimit është pjesë e Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë në Kharkiv, i cili thuhet se prodhon materiale radioaktive për përdorim mjekësor dhe industrial.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) paralajmëroi më parë se shkatërrimi i mundshëm i objektit do të çonte në një katastrofë mjedisore në shkallë të gjerë.
Forcat ruse kanë marrë tashmë dy termocentrale bërthamore në Ukrainë, duke përfshirë Zaporizhzhia, centralin më të madh bërthamor në Evropë.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në termocentralin e Çernobilit, vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë dhe ka kërkuar një armëpushim të përkohshëm për të lejuar riparimet në linjën elektrike.

