Deklarata e Biden konfuzon Rusinë dhe Shtëpinë e Bardhë, Kremlini: Rusët e zgjedhin vetë liderin; Uashingtoni: Keqkuptim

Presidenti Joe Biden ka bërë një deklaratë të fortë e cila u përgënjeshtrua më pas nga Shtëpia e Bardhë. Nga Polonia, 79-vjeçari tha se Vladimir Putin nuk duhet të jetë më në krye të Rusisë, deklaratë e cila u mor si një tentativë për ndryshim pushteti nga Kremlini.

Presidenti Biden nga Polonia, ka deklaruar se Vladimir Putin nuk duhet të jetë më në krye të shtetit rus.

Biden: Ne do të kemi një të ardhme ndryshe, një të ardhme më të ndritshme të rrënjosur në demokraci dhe parim, shpresë dhe dritë, mirësjellje dhe dinjitet, liri dhe mundësi. Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet.

Kremlini reagoi me shpejtësi përmes zëdhënësit të presidentit Putin. Dmitri Peskov e kritikoi presidentin Biden për deklaratatën e tij.

Ai u tha gazetarëve se rusët zgjedhin se kush do të jetë lideri i tyre dhe jo Biden.

Peskov: Nuk i takon Bidenit të vendosë. Presidenti i Rusisë zgjidhet nga rusët.

Shtëpia e Bardhë e përgënjeshtroi deklaratën e Biden.

Një zyrtar i saj tha se Biden nuk po fliste për ndryshimin e regjimit në Rusi, pasi kjo nuk është në dorën e tij, por tha se Putin nuk duhet të lejohet të ketë pushtet mbi vendet fqinje të Rusisë apo të gjithë rajonin e Evropës Lindore.