Luhansku drejt Rusisë si Krimea, Republika separatiste referendum për t’u bashkuar me Moskën

Njësoj si me Krimenë, Rusia pritet të aneksojë edhe rajonin separatist të Luhanskut. Lideri i Republikës së vetëshpallur njoftoi se së shpejti banorët do t’i drejtohen referendumit për t’u bashkuar me Federatën Ruse.

Republika Popullore e vetëshpallur e Luhanskut njoftoi se do të mbante një referendum për t’u bashkuar me Rusinë dhe për t’u ndarë përfundimisht nga territori ukrainas.

Lideri i vetëshpallur i rajonit, Leonid Paseçnik tha se njerëzit e Luhanskut do të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

Paseçnik: Mendoj se së shpejti do të mbahet një referendum në territorin e republikës së Luhanskut. Populli do të ushtrojë të drejtën e tij përfundimtare kushtetuese dhe do të shprehë mendimin e tij për t'u bashkuar me Federatën Ruse.

Rusia muajin e kaluar njohu republikat e vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut si të pavarura dhe pak ditë më pas, presidenti Vladimir Putin urdhëroi të ashtuquajturin operacion special për të vendosur paqe në dy rajonet e kontrolluara nga separatistët pro-rusë.

Taktika e aneksimit të territoreve të Ukrainës nga Rusia është bërë e njohur që në konfliktin e fundit mes dy vendeve në vitin 2014.

Në 16 mars 2014 në Krime dhe Stevastopull u mbajt referendumi për bashkim me Rusinë.

Rezultati i referendumit ishte 97% pro dhe 3% kundër, megjithëse shumë vende perëndimore e quajtën atë të diskutueshëm.