Abuzuan “në kurriz” të fermerëve, Konkurrenca gjobit me 192 mln lekë 3 kompani të plehrave kimike
Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur tre kompani që merren me importin dhe shitjen me shumicë të plehrave kimike, pasi kanë rritur çmimet e shitjes së këtyre produkteve. Gjoba për kompanitë kap vlerën e rreth 192 milionë lekëve. Ndërsa Konkurrenca njofton se tregu u plehrave kimikë do të jetë nën hetim edhe për një vit.
Pas hetimit të thelluar për 10 kompani të plehrave kimike, Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur 3 prej tyre.
Konkretisht është gjobitur me rreth 119 milionë lekë ndërmarrja AGRO BLEND SHPK , me 66 milionë lekë MBM SHPK si dhe ÇAÇA SHPK me 7 milionë lekë. Vlera totale e gjobave ndaj 3 kompanive përllogaritet mbi 192 milionë lekë.
Komisioni i Konkurrencës argumenton se këto kompani kanë bërë rritje të njëkohshme dhe në mënyrë të menjëhershme të çmimit të shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet.
Hetimi i Komisionit të Konkurrencës për kompanitë e importit dhe shitjes të plehrave kimike e inputeve bujqësore ka nisur një vit më parë dhe gjatë kësaj periudhë është provuar se këto 3 kompani kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur çmimet e shitjes me shumicë të plehrave kimikë.
Veç gjobave, Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se tregu i plehrave kimike do të jetë nën hetim edhe për 1 vit duke nisur nga kjo e premte.
