Aksidentet me motor përgjakin rrugët në 24 orë, 1 viktimë, 4 të plagosur
Një viktimë dhe katër të plagosur është bilanci i aksidenteve të rënda të shënuara në 24 orët e fundit ku u përfshinë motora. Më i rëndi ishte në Kuçovë, ku dy adoleshentë përplasën dhe braktisën në mes të rrugës dy të moshuara.
Dy të rinj mbetën të plagosur rëndë pasi motori me të cilin udhëtonin u përplas me një kamionçinë në aksin Lezhë-Rrilë.
Agustin Mhilli 26-vjeç dhe pasagjeri Florian Picaku 22-vjeç morën fillimisht ndihmën e parë në Spitalin e Lezhës dhe më pas u sollën në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Burimet thonë se ndodhen në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra nga përplasja.
Drejtuesi i kamionçinës, Arben Prenga, u shoqërua deri në zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Përplasja e një makine me një motor la pas një të plagosur rëndë edhe në aksin Xhafzotaj Shijak në Durrës.
Një 72-vjeçare humbi jetën ndërsa një 74-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë pasi u përplasën nga një motor dhe u braktisën në rrugë mbrëmjen e së martës në Kuçovë.
Një 16-vjeçar dhe një 14 vjeçar janë shoqëruar si autorë të dyshuar të aksidentit fatal.
"Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë identifikimi dhe arrestimi i shtetasit E. T., 16 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit"; Arrestimi i shtetasit E. T. u bë pasi ditën e djeshme, duke drejtuar një motomjet tip "Honda", pa targa, ka aksidentuar shtetasen L. M., e cila ndërroi jetë dhe shtetasen F. A., e cila ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë.Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit A. S., 14 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit"njoftoi policia.
Të paktën 32 persona humbën jetën në aksidente rrugore në periudhën Janar-Shkurt.
Mesatarisht çdo dy ditë në rrugë shënohet një viktimë.
Shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve vlerësohet se është shkaku i 80 % të aksidenteve.
