Vrasja pas sherrit për kalin, tre vite pas krimit në Vlorë kapet kunati dhe dy shokë të autorit
Tre vite pas vrasjes së Arben Beqirajt në zonën e plazhit të Vlorës pas një sherri që nisi për një kalë, në pranga kanë rënë dy persona të përfshirë në krim me autor Eduard Xhezon. Ariel Kingji dhe Shpati Lena u kapën bashkë me një person tjetër në një makinë të armatosur.
Këto pamje tregojnë arrestimin Ariel Kingjit, 21 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në një vrasje në gusht të vitit 2019 në Vlorë.
Edhe pse prej tre vitesh në kërkim, i riu lëvizte i lirë dhe i armatosur me pistoletë derisa përfundoi në pranga në kuadër të operacionit “Dallgët”
Ariel Kingji u kap në zonën e Ujit të Ftohtë në këtë makinë bashkë me Shpati Lenën 37 vjeç dhe Kristo Drolli, 50 vjeç, që po ashtu kishte pistoletë në brez.
21 vjeçari dhe Shpati Lena sipas policisë së Vlorës ishin të përfshirë në një përplasje në zonën e plazhit që përfundoi me vrasjen e Arben Beqirajt, i njohur si “Arbeni i Çeçesë”.
Djali i tij Egert Beqiraj si dhe nipi Nesim Hodaj mbeten të plagosur nga plumbat.
Si autor i krimit në qeli ndodhet Eduart Xhezo, i arrestuar disa kohë pas ngjarjes në Durrës ku fshihej.
Sherri që përfundoi me një viktimë dhe 2 të plagosur nisi për qetësinë e prishur në plazh nga një kalë.
Gazmend Alushi, kujdestar i kafshës në pronësi të Eduart Xhezos u dhunua nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë që ndodheshin në një lokal.
Eduard Xhezo, i njohur edhe me emrin Ermal bashkë me Shpati Lenën dhe Ariel Kingji, atë kohë vetëm 19 vjeç, të armatosur shkuan për tu sqaruar me Arben Beqirajn.
Por takimi që duhet të ishte për sqarim përfundoi në përplasje me armë pasditen e 4 gushtit në zonën e Plazhit të Vjetër.
