Aksidenti me 1 të vdekur në Kuçovë, identifikohen dhe arrestohen 2 autorët minorenë

Pas aksidentit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kuçovës, ku vdiq një grua 72-vjeçe dhe u plagos rëndë një 74-vjeçare, policia e Kuçovës ka mundur identifikimin dhe arrestimin e autorëve të cilët u larguan nga vendi i aksidentit.

Nëpërmjet kamerave të sigurisë të bizneseve përreth vendngjarjes, por edhe nga dëshmitë e banorëve policia mundi të identifikojë dy personat që ishin në motor dhe që aksidentuan dy të moshuarat.

Dy minorenët: A.S 17-vjeç dhe E.T, 15-vjeç kanë qenë mbi motorin që aksidentoi dy të moshuarat, njëra prej të cilave gjeti vdekjes pas mbërritjes në Spitalin Rajonal të Beratit.

Edhe pse u larguan nga vendngjarja për t'ju fshehur policisë, ata u arrestuan disa orë më vonë dhe tashmë ndodhen në ambientet e DVP-së Berat, ku po merren në pyetje në lidhje me aksidentin e rëndë.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme, 22 mars në rrugën e varrezave në qytetin e Kuçovës.

Njëra prej grave të aksidentuara,72-vjeçarja Leme Mara ndërroi jetë menjëherë pas mbërritjes në Spitalin Rajonal të Beratit, ndërsa e aksidentuara tjetër File Ahmeti,74-vjeçe, u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Mësohet se gratë e aksidentuara ishin komshije me njëra-tjetrën dhe kishin dalë për të shëtitur në momentin që janë përplasur mbi trotuar nga motori.