Gripi i shpendëve, Në karantinë Durrësi Dibra dhe Korça. Deri tani 358 mijë shpendë të ngordhur
Gripi i pulave ka njohur përhapje edhe më të madhe në Shqipëri duke prekur dhe shpendë të oborreve. Ministria e Bujqësisë edhe pse priti 20 ditë për të deklaruar situatën, ka nxituar të dalë për mediet për të treguar se virusi është konstatuar dhe në rajon.
Pasi reagoi me 20 ditë vonesë për përhapjen e gripit të shpendëve në Shqipëri, ministria e bujqësisë ka reaguar me shpejtësi për të deklaruar se virusi është përhapur në shtete të tjera.
Gjeci: Kjo është një sëmundje që ka prekur gjithë kontinentin Evropian në vende si Franca, Gjermania, Polonia, Zvicra, Spanja, Italia, Greqia dhe rregullat që po ndiqen në Shqipëri janë konform procedurave të BE. Aktualisht prekshmërinë më të madhe e ka Franca. Sëmundja e Influencës Aviare është listuar në 7 sëmundjet kryesore emergjente në BE. Konsumatorët dua t'i siguroj se nuk ka asnjë rast nga studimet e bëra se sëmundja mund të transmetohet nga konsumi i produkteve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në terren në secilin suubjekt tregtues mishi.
Madje zëvendësministrja Ermira Gjeci bëri publike dhe hartën e përhapjes së gripit të shpendëve. Nuk janë përjashtuar rastet dhe e sëmundjes në shpendë të oborrit, teksa u theksua se shifrat e pulave të ngordhura ndryshojnë në çdo moment. Megjithatë edhe një herë u theksua se konsumatorët nuk kanë asnjë rrezik.
Aktualisht zonat në karantinë janë:
Durrës, perimetri me rreze 10 kilometër me qendër fshatin Rashbull
Dibër, perimetri me rreze 10 kilometër me qendër në fshatin Rreth kalë
Korçë, perimetri me rreze 10 kilometër me qendër në fshatin Prespë të Vogël
Deri tani janë raportuar të ngordhura 358.522 shpendë, ditën e djeshme janë groposur pothuajse 39.000 shpendë.
Gjeci bëri me dije se janë në proces vendimmarrje për masat e reja që do të merren,ndërsa u theksua dhe një herë se konsumatorët nuk kanë asnjë rrezik.
