Zelensky bën sërish thirrje për paqe
Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka bërë sërish thirrje për paqe me Rusinë, përmes negociatave që sipas tij ndonjëherë janë skandaloze, por megjithatë ka shpresë për armëpushim. Kreu i shtetit vuri në dukje edhe situatën e keqe humanitare në Mariupol.
Kreu i shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky ka vijuar të bëjë thirrje të dëshpëruara për paqe me palën ruse.
Sipas tij negociatat kanë qenë në kufijtë e skandalozes, por megjithatë ai ka shpresë për një armëpushim të plotë.
Zelensky: Ne vazhdojmë të punojmë në nivele të ndryshme për ta shtyrë Rusinë drejt paqes deri në fund të kësaj lufte brutale. Përfaqësuesit ukrainas po punojnë për negociatat, të cilat vazhdojnë pothuajse çdo ditë. Është shumë e vështirë, ndonjëherë skandaloze. Por hap pas hapi ne po ecim përpara.
Presidenti foli gjatë një adresimi drejtuar popullit ukrainas se situata humanitare në Mariupol është në kufijtë e çnjerëzores, të shkaktuar nga forcat ruse.
Zelensky: Në Mariupol jetojnë rreth 100 mijë njerëz në kushte çnjerëzore, në një bllokadë të plotë. Pa ushqim, pa ujë, pa ilaçe dhe nën bombardime të vazhdueshme. Prej më shumë se një javë po përpiqemi të organizojmë korridore humanitare për banorët e Mariupolit dhe pothuajse të gjitha përpjekjet tona, për fat të keq, pengohen nga pushtuesit rusë.
Zelensky foli edhe për samitet e NATO-s, G7-s dhe BE-së të cilat pritet të mbahen të enjten me prezencën e presidentit Biden.
Lideri ukrainas tha se priten paketa të tjera sanksionesh kundër Rusisë.
Zelensky: Tre samite të rëndësishme priten këtë javë. G7, NATO dhe BE. Priten paketa të reja sanksionesh dhe ndihma të reja. Ne do të punojmë, do të luftojmë me aq sa kemi mundësi, deri në fund, me guxim dhe haptazi.
Presidenti ukrainas komentoi edhe për telefonatën që pati me Papa Françeskun dhe shtoi se ka shpresa që Ati i Shenjtë të vizitojë Ukrainën në këtë kohë vendimtare për vendin.



