Sopranoja shqiptare që këndoi në " La Scala", Gjermeni rrëfen eksperiencën e saj: Nga emigrante u ngjita në teatër

Në pjesën e fundit të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ishte e ftuar në lidhje ‘Skype’ nga Italia artistja shqiptare, Anila Hoxha-Gjermeni.

Me një repertor të gjerë në skenat botërore Anila nuk e ka harruar kurrë Shqipërinë dhe  vendlindjen e saj Tropojën. Ajo e nisi bisedën në studio duke treguar sesi lindi pasioni për muzikën dhe si u kthye n profesion për të. “Muzika tek unë ka lind që në fëmijëri, këndoja që e vogël. Kam marrë pjesë në shumë koncerte për fëmijë. Ishte mësuesja e muzikës që pa tek unë këtë talent, dhe doja patjetër që të bëhesha  këngëtare, por isha e vogël dhe se dija sesi.

Në këtë mënyrë më pyeti mësuesja nëse doja që kënga të kthehej në profesion për mua. Dhe më pas u regjistrova në një konkurs, mbaj mend kur erdhi përgjigja që kisha fituar ishte një emocion i veçantë dhe i papërshkrueshëm për mua”, tha ajo. Më tej ajo tregoi për fillimet e saj në koncertet në Itali.

“Normalisht që edhe për mua nuk ka qenë aspak fillimi i lehtë, në Itali kam kënduar në fillim në koncerte. Më pas kam kënduar në teatër, në 2001 kam pasur rolin e parë në teatër, nga ku nuk jam ndërprerë më’, u shpreh Anila.

Ndër të tjera ajo cilësoi dhe përmendi disa nga shfaqjet dhe rolet më të mira dhe emocionuese për të, “emocioni i parë ka qenë realizimi i një roli në moshën 16 vjeçare, ishte moment që më janë dridhur të dy gjunjtë nga performanca”.

Anila Hoxha Gjermeni është sopranoja Shqiptare  e cila me zërin e saj Ka çuar peshë jo vetëm publikun shqiptar por edhe atë Italian. Shqiptarja nga Tropoja iku në emigrim vite më parë por ajo është shembulli konkret kur talenti arrin të mbizotërojë përball çdo sfide. Artistja arriti të performojë në La Scala teatrin operistik  ndër më të njohurit në botë.

Anila i kreu studimet në  Shkodër dhe  më pas ndoqi Akademinë e Arteve në Tiranë. Ishte viti 1994 kur ajo së bashku me familjen  vendosi të emigrojë në Itali. Fillimisht ishte një emigrante e zakonshme por shumë shpejt shqiptaria e talentuar e gjeti veten në La Scala si këngetare lirike.

Tashmë sopranoja  ka një repertor të gjerë në skenat botërore që përfshin role në kryevepra si “La Boheme”, “Traviata”, “Tosca” etj.