Fenomeni "Berlusconi", Psikologia: Të tilla martesa kanë divergjenca, lindin keqkuptime
Pjesën e tretë të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme iu kushtua një teme mjaft interesante, aktuale dhe shumë të diskutuar në rrethin shoqërorë, që është pikërisht diferenca e moshës mes partnerëve në një martesë.
Një temë e marrë shkak gjithashtu nga një ngjarje e cila në mediat italiane është përfolur shumë dhe jo vetëm. Martesa e tretë jo ligjore e Silvio Berlusconit e cila bëri bujë për faktin se ai dhe partnerja kanë plot 53 vite diferencë. Për të folur më shumë në lidhje me këtë fenomen në studio ishin të ftuar Doralda Tarellari, sociologe, Marsela Lekli, psikologe, Genta Hodo, gazetare, Renaldo Sharka, moderator, si dhe në lidhje skype nga Kosova gazetari Milaim Zeka.
Sociologia Doralda Tarellari, u shpreh se dashuria nuk njeh moshë, dhe të zgjedhësh paretnerin apo partneren e jetës nuk është e shkruar sesi duhet të jetë.
“Shumë vite diferencë në martesë gjithmonë tërheqin vëmendje, por në gjykimin tim mendoj se dashuria nuk njeh moshë. Në këtë aspeKt mendoj se nuk ka asnjë manual sesi të zgjedhim partnerin tonë, apo sesa herë duhet të martohemi”, u shpreh Tarellari.
Ndërsa gazetarja Hoda tha në studio se në ditën e sotme shihet një tendencë rritje të rasteve që kanë diferencë moshë.
Por, sipas saj kjo zgjedhje nuk është anti-vlerë.
“Nuk kam asnjë paragjykim me ata që mund të marrin partnerët në moshë shumë më të madhe sesa vetja. Por, mendoj se kjo është bërë kaq e shpeshtë, saqë nuk është ndonjë anti-vlerë. Në ditën e sotme kemi më shumë liri zgjedhjesh, se më parë kritikoheshe sikur po “gjuan” një mashkull me para, ndërsa tashmë është ndryshe, rastet janë edhe më të shpeshta”, u shpreh Hodo.
Po ashtu edhe Lekli pohoi se rastet si të Barlusconit, janë të ndeshura në Shqipëri, por ajo theksoi se këto raste nuk janë shumë të popullarizuara.
“Edhe në vendin tonë kohët e fundit po aplikohen rastet si të Berlusconit, por jo kaq të hapur. Sikur janë pak më të tkurrur dhe të tërhequr për të dal hapur fare. Nuk mund të paragjykojmë, por ne po flasim për efektet që ka kjo martesë. Pasi fillimi mund të jetë në rregull në çdo gjë, por më vonë mund të lindin keqkuptime”, tha Lekli.
Ndër të tjera Hodo tha se, “në Shqipëri kemi një pjesë të vajzave që nuk jetojnë me realitetin, pasi ka nga ata që zgjedhin paranë dhe gjërat material tek një mashkull”.
Kurse Zeka tha se “unë them se nuk duhet të flasim për moshë, pasi dashuria nuk e njeh atë. Për më tepër ka njerëz që dashurojnë shpirtin dhe mendjen e personit, dhe asgjë tjetër”.
Më tej ai solli një shembull në studio, ku sipas tij janë një sërë parametrash që ndikojnë tek individi për të marrë vendime të tilla.
“Për të krijuar familje janë disa parametra që njeriu i mendon në zemrën dhe mendjen e vetë. Për shembull, unë nëse do të isha në këtë kohë kurrë nuk do të martohesha më një femër nëse ajo prezantohet tek unë në pamje të parë si një individ që është pa punë. E them këtë pasi, është intuita që të çon të mendosh këtë”, tha më tej Zeka.
Së fundmi, moderatori Sharka u shpreh se në vetvete interesi qëndron mes një marrëdhënie në çift.
“Marrëdhëniet në një farë mënyre është interes. Por, unë mendoj se populli shqiptarë është shumë i frustruar. Kjo do të thotë që njerëzit, meshkujt përdorin metoda nga më të ndryshmet për t’iu afruar dhe ngacmuar një femër. Kjo po, mendoj që është problem në vendin tonë, por jo të bësh atë që dëshiron dhe të zgjedhësh atë që të bën të ndihesh mirë dhe të plotësuar”, përfundoi Sharka.
Të shumta janë bërë tashmë martesat kur diferenca i kalon edhe dy dekada, madje tre dhe katër. Woody Allen ishte një nga rastet që tronditi opinionin publik dhe holliëodin kur u martua me vajzën e birësuar të ish-partneres së tij, 23 vite më e re. Në kohën kur ata u martuan ai ishte 40 vjeç dhe vajza vetëm 17.
Edhe martesa midis modeles Elisabet Gregoraci dhe biznesmeni miliarder Flavio Briatore me 3o vite diferencë u përfol shumë.

