Në pritje të Oscar-s, organizatorët sfidë të rikthejnë audiencën e humbur
Në një epokë të rrjeteve sociale, edhe evente presitgjioze si Çmimet Oscars, kanë humbur shikuesit dhe, bashkë me ta, edhe fuqinë e tyre. Për këtë arsye këtë vit, organizatorët vijnë me disa risi, nëpërmjet të cilave Akademia shpreson ta tërheqë audiencën e saj.
Në pritje të edicionit të 94-t të ceremonisë prestigjioze të çmimeve “Oscar”, që do të mbahet këtë të diel, organizatorët janë nën presion për të rritur shifrat e shikueshmërisë së vitit të kaluar. Në një epokë të TikTok dhe transmetimit në youtube, nata më e madhe e showbiz-it ka humbur shikuesit dhe, bashkë me ta, edhe fuqinë e saj.
"Sfida më e madhe është t'i bësh njerëzit të shikojnë," pranoi producenti i ceremonisë Will Packer. "Pra, duhet të ketë diçka ndryshe shfaqja këtë vit. Kërkohet një lidhje me fansat e filmave."
Për këtë arsye, Akademia shpreson ta tërheqë audiencën nëpërmjet një pike të fortë, që janë favoritët e këtij viti. Will Smith, i cili nuk ka fituar kurrë një “Oscar”, është pretendent i fortë për “Aktorin më të mirë” me “King Richard”. Për “aktoren më të mirë”, mes Nicole Kidman, Olivia Colman, Penelope Cruz dhe Kristen Stewart, kryeson Jessica Chastain.
Çmimet “Oscar” nuk kanë pasur prezantues që nga viti 2018, ndërsa këtë herë janë përzgjedhur Amy Schumer, Regina Hall dhe komediania, Wanda Sykes. Bashkë me to në skenë do të ngjiten edhe yje si Lady Gaga, Simu Liu, Zoe Kravitz e “The Batman” dhe aktorja Mila Kunis, e lindur në Ukrainë.
Për herë të parë, është shtuar kategoria “Filmi i preferuar i fansave”, ku garojnë “Spiderman” dhe “No time to die”, teksa votimi do të jetë dixhital.
Tetë nga 23 çmimet këtë vit do të regjistrohen paraprakisht, për të kursyer kohë gjatë transmetimit televiziv, përkatësisht kategoritë si montazhi më i mirë, muzika dhe dizajni etj.
Një tjetër surprizë është kasti i filmit të animuar “Encanto” që do të performojë live për herë të parë gjatë ceremonisë kolonën zanore “We Don't Talk About Bruno”. Në film, ai interpretohet nga më shumë se 10 personazhe.
“Oscar-et” e vitit të kaluar regjistruan audiencën e tyre televizive më të ulët, me vetëm 10.4 milionë shikues, ndikuar edhe nga ceremonia e pazakontë për shkak të pandemisë. Kujtojmë se në vitin 2020, ceremonia regjistroi 23.6 milionë shikues.

