Video/ Kombëtarja stërvitet me ngarkesë të plotë. Vetëm një mungesë mes lojtarëve

Dita e dytë e grumbullimit në Spanjë për kombëtaren kuqezi ka vijuar në mënyrën më të mirë. Në qendrën stërvitore “Royalverd Vall de Bas” po stërvitjen djemtë kuqezi dhe sot ata zhvilluan një tjetër seancë, që është dhe e para me ngarkesë të plotë.

Ka munguar edhe sot mesfushori Amir Abrashi, i cili është ende në pritje të përgjigjeve të analizave mjekësore pas një dëmtimi muskular gjatë ndeshjes së kampionatit zviceran me klubin të dielën e kaluar.

Të gjithë lojtarët e tjerë janë stërvitur normalisht me grupin që në pjesën e parë ka bërë ushtrime fizike e më pas fokusi ka qenë në pjesën taktike të lojës. Impenjimi nga ana e të gjithë futbollistëve ka qenë maksimal, ndërsa për momentin nuk ka asnjë lojtar me probleme fizike dhe çdo gjë po shkon sipas programit.

Kujtojmë që sfida e parë luhet ndaj Spanjës më 26 Mars në Barcelonë në orën 19:45 dhe më pas me Gjeorgjinë në “Air Albania”, Shqipëria mbyll raundin e miqësoreve. /Ora News/.