Pedagogu: Rreth 5 mijë fjalë turke në shqip. Futja e turqishtes si lëndë me zgjedhje, dritare për të rinjtë
Në studion e emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme ishin të ftuar 3 turq të cilët prej vitesh jetojnë në Shqipëri. Lidhja e shqiptarëve me Turqinë dhe anasjelltas, njihet tashmë në të gjithë botën.
Një lidhje e veçantë kjo edhe për shkak të qëndrimit nën perandorinë Osmane prej 500 vitesh. Sejma Ugur, studente jeton në Shqipëri që në moshën 5 vjeçare , Dr. Bashak Kandi, mjeke turke e cila punon në Shqipëri, dhe Prof.dr Adriatik Derjaj, shef departamentit të gjuhëve ballkanike në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, pedagog i gjuhës turke.
Sejma u shpreh në studio se e ka gjetur shumë mirë veten në Shqipëri, saqë tashmë ajo e konsideron veten shqiptare. “Kam ardhur në Shqipëri që në moshën 5 vjeçare, dhe unë e gjej veten më mirë këtu sesa në Turqi. Madje unë do thosha se ndihem shqiptare dhe jo turke.
Atje se gjej dot veten, kur shkoj tek të afërmit e mi nuk ndihem e lirshme, pasi ne këtu jemi më të lirë, më mendjehapur. Atje shumë gjëra janë të ndaluara, për shembull tatuazhet atje shihen me tjetër sy dhe kuptim”, tha Sejma.
Ndërsa, mjekja Bashak u shpreh se në Shqipëri erdhi si turiste, por u dashurua me të dhe nuk e braktisi më kurrë.
“Kam ardhur tek shoqja ime këtu në Shqipëri për vizitë, edhe në këtë periudhë më pëlqeu shumë Shqipëria dhe nuk doja të largohesha më nga këtu. Madje kam blerë edhe një shtëpi në Vlorë, këtu në Shqipëri me pëlqejnë njerëzit, klima, vendi, pra gjithçka. Deri më tani nuk kam pasur sfida, pasi siç e thash edhe më herët njerëzit janë shumë mikëpritës dhe të dashur, më kanë ndihmuar në çdo nevojë që unë kam pasur”, u shpreh Kandi.
Ndalur më tej tek traditat dhe kultura, marrëdhënia mes dy shteteve Turqi-Shqipëri, Derjaj u shpreh se është një marrëdhënie për tu marrë shembull nga vendet e tjera. Më tej ai tha se Shqipëria dhe Turqia kanë shumë të përbashkëta, si tradita, gatimi, etj.
“Marrëdhënia mes dy shteteve është për tu admiruar në shumë vende të botës. Pasi marrdhënia e turqëve me shqiptarët dhe anasjelltas është shumë e mirë, prandaj them se kjo vlen për tu marrë si një shembull për shumë shtete jashtë vendit. Këto dy vende ngjasojnë edhe shumë, duke u nisur që nga respekti për të mëdhenjtë, ushqimet edhe shumë tradita të tjera”, u shpreh Derjaj.
E pyetur për ushqimet se cilën nga ata pëlqen më shumë, Bajak tha se “unë më shumë pëlqej byrekun që bëni ju në Shqipëri”.
Shqipëria ka qenë prej 5 shekujsh pjesë e perandorisë Osmane. Kjo padiskutim ka bërë që popujt të bashkëjetojnë duke ndarë tradita e zakone.
Të shumta janë edhe fjalët gjuhësore që ne kemi huazuar nga turqishtja ose anasjelltas. Shqiptarët e turqit kanë ditur të ruajnë një marrëdhënie të mirë si gjatë pushtimit ashtu edhe pas tij. Të shumtë janë shqiptarët që kanë krijuar lidhje familjare me turqit, ashtu si dhe lidhje në sipërmarrje të ndryshme.
Dhe në nivele diplomatike liderët priten anasjelltas me shumë dashuri ndryshe nga takimet zyrtare. Prezenca e Turqisë në vendin tonë ka qenë e një rëndësie shumë të veçantë edhe në këto 30 vite të tranzicionit shqiptar, Turqia është parë gjithmonë si aleate strategjike dhe jo vetëm.
Ndikimi i Turqisë në vendin tonë vihet re edhe në disa zakone apo tradita. Në gatimet shumë prej ëmbëlsirave të njohura turke janë bërë edhe tek ne shumë të pëlqyera. si bakllavaja, kadaifi, sheqerparja etj. Por edhe në veshjet tona tradicionale portretizohet shpirti otoman që është një pjesë integrale e Shqipërisë.
Të shumtë janë turqit që e kanë parë Shqipërinë jo vetën si destinacion për jetën e tyre, por shumë prej tyre kanë zgjedhur që të krijojnë edhe familje.
Të shumtë janë edhe ata që kanë hapur bizneset e tyre në vendin tone.

