Xhepat bosh, treni plot! Qytetarët: Të kthehet linja normale e trenit
Në kushtet e rritjes së çmimit të karburantit në vendin tonë, qytetarët duket se po gjejnë zgjidhje alternative. Treni i linjës Shkodër-Laç të martën ishte plotë, dhe qytetarët thanë se duhet të kthehet linja e rregullt dhe jo një herë në javë.
Si kurrë më parë vitet e fundit, treni i linjës Shkodër-Laç, ishte i mbushur plotë me pasagjerë këtë të martë.
Qytetarët madje qëndronin në këmbë pasi të gjitha vendet ishin të zëna.
Rritja e çmimit të karburantit ka rikthyer pas shumë vitesh interesin për të lëvizur me tren.
"Me çfarë të vijmë? Nëse nuk vijmë me tren, me këmbë atëherë."
Edhe pse kushtet janë tërësisht të papërshtatshme, çmimi i ulet i biletës po i detyron qytetarët që të veprojnë në këtë mënyre.
"Hipim nga halli sepse nafta është shtrenjtuar. Kushtet janë skandaloze."
"Nuk kemi mundësi me furgona."
"Hipëm se bileta e lirë."
Në këto kushte udhëtarët kërkojnë që linjat hekurudhore të rikthehet, çdo ditë të javës.
"Treni duhet përditë se është shumë ekonomi e lodhur."
Treni i linjës Shkodër-Laç është vënë në funksion që prej datës 15 mars, duke ju ardhur në ndihmë çdo të martë pelegrinjëve që i drejtohen Kishës së Shna Ndout.






