"Basha një humbës kronik", Gjiknuri: Opozita po shkërmoqet

Për Partinë Socialiste dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike është akti i parë fisnik i një humbësi kronik. Numri dy i selisë rozë, Damian Gjiknuri nuk e fsheh vëmendjen mbi atë çfarë po ndodh në selinë kundërshtare, dhe kjo për të kuptuar dhe vijimin e bashkëpunimit me opozitën për reformat prioritare.  

Zhvillimet në partinë demokratike kanë tërhequr vëmendjen e Partisë Socialiste, e cila më shumë se emri i ri që do të marrë drejtimin e PD-së duket e shqetësuar për bashkëpunimin për miratimin e reformave që duan dhe konsensusin e opozitës.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste dorëheqja e Lulzim Bashës është akti i parë fisnik i një humbësi kronik, një veprim të cilin duhet ta kishte bërë me kohë.

Gjiknuri: Dorëheqja e Lulzim Bashës në dukje është akti i parë fisnik i një humbësi kronik do ta quaja që duhet ta kishte bërë me kohë. PD apo opozita shqiptare ka hyrë në një cikël të vështirë shkërmoqje me shumë flukse. Për disa njerëz akti i dorëheqjes mund të duket si fillimi i fundit të këtij procesi, por mund të jetë dhe fundi i fillimit të shkërmoqjes, këtë do ta shohim, mendoj që mund të jetë më shumë kjo e dyta. 

Numri dy i selisë rozë theksoi se opozita duhet të riformatohet sa më parë edhe pse ky proces do të kërkojë kohë, në mënyrë që të shihet dhe mënyra e bashkëpunimit në vijim për reformat.

Gjiknuri: Ne i presim në komisionet përkatëse që ata vetë i kërkuan, në çdo kohë që ata janë të gatshëm. Ne urojmë që ata ta gjejnë veten, por vendi nuk do të mbahet peng nga shthurja e tyre.

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Elbasanit Damian Gjiknuri deklaratat e tij i bëri pas vizitave dhe urimit për të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit.