Gripi i shpendëve, ekspertët: Situata jashtë kontrollit

Sëmundja e pulave ka qenë prezentë në vendin tonë prej kohësh, por situata u mor në vëmendje tani që janë prekur bizneset e mëdha. Kështu është shprehur veterineri Edi Ferro, i cili thekson se pavarësisht se kjo sëmundje nuk transmetohet tek njeriu, konsumatori duhet të jetë i kujdesshëm. Ndërkaq, Granit Sokolaj shprehet se reagimi i autoriteteve është i vonuar.

Gripi i pulave ka disa muaj që është në qarkullim, por kishte prekur vetëm fermerët e vegjël, ndaj situata nuk ishte bërë ende alarmante.

Kështu shprehet veterineri, Edi Ferro, i cili thekson se tashmë gjendja ka dalë jashtë kontrollit për shkak se ka prekur bizneset me shtrirje më të lartë në treg.

"Ka dalë jashtë kontrolli tani që ka prekur fermat e mëdha që kanë një sistem bio-sigurie shumë të fortë dhe mendohet se mund të ishin fermat me risk më të ulët."

Ferro shprehet se praktikisht sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit, megjithatë rreziku për konsumatorin është prezent.

"Konsumatorët duhet të jenë të qetë pasi nuk ka vend për panik dhe nga ana tjetër duhet të jenë të kujdesshëm".

Sipas tij, sëmundja është mjaftueshëm e rrezikshme sa për të shkaktuar vakum në furnizimin me vezë.

"Mungojnë 500 mijë kokrra vezë në ditë dhe automatikisht ka vakum të këtij produkti në treg."

Kreu i qendrës Alert, Granit Sokolaj, është shprehur se autoritetet nuk i kanë marrë masat në kohë, për këtë arsye situata ka dalë jashtë kontrolli.

"Përbën një faj të madh të ISUV. Është laboratori i vetëm shqiptar i referencës."

Ndërkohë, ISUV në një deklaratë për mediat është shprehur se situata nuk është alarmante dhe është e përqëndruar edhe pse numri i pulave të ngordhura i ka kaluar 250 mijë.