Rrëfim nga lufta, regjisori Vladyslav Robskyi për RTV Ora: Populli ukrainas, shembull i luftës për liri

Regjisori ukrainas, Vladyslav Robskyi, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj ka rrëfyer se si po e përjeton luftën që ka përfshirë Ukrainën.

Ai ka folur për izolimin, projektet e lëna në mes. Njëkohësisht, anëtar i Akademisë së Filmit, Robskyi shprehet krenar për rezistencën e popullit ukrainas dhe shpresëplotë se Ukraina do t’ bëjë ballë agresionit rus.

Regjisori ukrainas, Vladyslav Robskyi, anëtar i Akademisë së Filmit në Ukrainë, tani duhet të ishte duke xhiruar filmin e tij debutues, por lufta la gjithçka në mes.

Ai bashkë me shumë kolegë të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe luftojnë për të mbajtur Ukrainën.

Për 37-vjeçarin, lufta e nisur nga Rusia është e turpshme, por ai e ndjen vetën pjesë të një populli që nuk do të dorëzohet.

“Pavarësisht shokut dhe adrenalinës së ditëve të para nga nisja e luftës së turprshme nga Rusia, unë ndjehem pjesë e një populli të mrekullueshëm sepse data 24 shkurt për në është si një ditëlindje. Jemi më të bashkuar se kurrë dhe po ndihmojmë njëri-tjetrin në gjithçka.”

Duke mos ditur asnjëherë se çfarë do të sjellë ora në konfliktin që vazhdon prej më shumë se 20 ditësh, Robskyi, kur e pyet nëse ka menduar të largohet nga Kievi, përgjigjet:

“Jo, për mua është e rëndësishme të jem në shtëpi dhe të ndihmoj ushtarët trima që mbrojnë Atdheun tonë. M'u desh ta çoja gruan me 2 fëmije te vegjël jashtë shtetit, por shpresoj jo për shumë kohë”.

Regjisori shprehet i zhgënjyer nga ndihma që ka ofruar deri më tani Perëndimi.

“Nuk ndihem i izoluar, por sigurisht pak i zhgënjyer nga pasiviteti i aleatëve perëndimorë. Personalisht, do doja të merresha me kulturë dhe për momentin duhet të xhiroja filmin tim debutues, por tani të gjithë ukrainasit janë vullnetarë dhe ne përpiqemi të jemi të dobishëm për vendin.”

Ai shpreson që me kalimin e kohës ta transformojë këtë eksperience të vështirë në një projekt të ardhshëm filmik dhe përcjell këtë mesazh:

“Mendoj se për të gjithë botën ne ukrainasit jemi kthyer në shembull të luftës për Liri dhe Qytetërim”.

Regjiszori Vladyslav Robskyi  është fitues dhe pjesëmarrës i festivaleve ndërkombëtare, konkurseve të skenarit dhe pedagog në Universitetin ukrainas të Filmit dhe shkollën “Wajda”.