Rusia bombardon shkollën e artit në Mariupol, strehoheshin 400 njerëz, mes tyre gra dhe fëmijë
Në javën e katërt të luftimeve në Ukrainë, akuzat për krime lufte janë bërë edhe më të shpeshta. Gjatë natës së të shtunës përfaqësuesit e Kievit kanë akuzuar se është bombarduar një shkollë në qytetin e Mariupolit ku ishin të strehuar rreth 400 persona mes tyre një numër i madh gra, të moshuara dhe fëmijë. Madje në deklaratën për mediat shtohet se nën rrënoja deri në mëngjes ka pasur shumë trupa.
Tashmë në këtë qytet që prej ditësh është i rrethuar, qëndrojnë mbi 300 mijë persona ndërsa një pjesë e madhe kanë arritur të largohen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se rrethimi i Mariupolit përfshin krime lufte të kryera nga forcat ruse.
Ai i cilësoi sulmet si “akte terrori” që do të “mbahen mend për shekuj me radhë”.
Përmes një video-mesazhi të postuar në orët e para të së dielës, Zelensky ha se Mariupoli do të mbahet mend në histori si shembull i krimeve të luftës.
“T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”, tha ai.
Duke folur mbi negociatat President ii Ukrainës shtoi se ato nuk janë “as të thjeshta as të këndshme, por janë të nevojshme”.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.
