Protesta kundër shtrenjtimit, mijëra qytetarë protestojnë kundër çmimeve në rritje në të gjithë Spanjën

Mijëra njerëz protestuan në të gjithë Spanjën kundër rritjes së çmimeve të energjisë dhe rritjes së kostos së produkteve bazike. Protestuesit, të thirrur nga partia spanjolle e ekstremit të djathtë, Vox, kërkuan largimin e kryeministrit socialist, Pedro Sanchez dhe uljen e kostove të jetesës.

Mijëra protestues dolën në rrugët anembanë Spanjës, në shenjë proteste ndaj kostos së lartë të ushqimit, dritave dhe karburantit, të cilat kanë ardhur duke u shtrenjtuar që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Tubimet, të cilat u zhvilluan në qytetet kryesore të Spanjës, u thirrën nga partia e ekstremit të djathtë Vox, e cila u përpoq të shfrytëzonte pakënaqësinë sociale në rritje mbi koston e jetesës, që ka vënë shumë familje në vështirësi.

Jashtë bashkisë së Madridit, një turmë prej disa mijëra vetësh u mblodh, duke valëvitur qindra flamuj spanjollë dhe duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit socialist Pedro Sanchez.

"Sanchez, ti je plehrë, ul faturat!" bërtisnin ata, mes thirrjeve patriotike të "Rroftë Spanja!", duke kërkuar nga qeveria të ndërhyjë për uljen e çmimeve.

"Ne kemi qeverinë më të keqe të mundshme. Nuk është as një qeveri, është një fabrikë mjerimi... e cila plaçkit dhe zhvat punëtorët përmes taksave abuzive," tha udhëheqësi i Vox, Santiago Abascal.

“Ne nuk do të largohemi nga rruga derisa të dëbohet kjo qeveri e paligjshme.

Kjo qeveri “po na merr gjithçka”, tha Anabel, një demonstruese 56-vjeçare e cila nuk dha mbiemrin e saj.

"Ata rrisin çmimin e dritave dhe gazit dhe thonë se kjo është për shkak të Putinit, por kjo është një gënjeshtër. Kështu ishte edhe më parë," shtoi ajo.

Vitin e kaluar, çmimet e energjisë u rritën me 72 për qind në Spanjë, vlera më e larta brenda Bashkimit Evropian, dhe kostot janë rritur edhe më shumë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Të hënën, edhe kamionistët spanjollë hynë në grevë për çmimin e karburantit, duke bllokuar rrugët dhe duke shkaktuar probleme në zinxhirin e furnizimit.