Sulmet ruse në Mariupol, Zelensky: Akte terrori! Do mbahet mend për shekuj me radhë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur se  sulmet ruse ndaj Mariupolit janë “akte terrori” që do të “mbahen mend për shekuj me radhë”.

Këtë e ka thënë  në një video-mesazh ndërsa ka theksuar se Mariupoli do të mbahet mend në histori si shembull i krimeve të luftës.

“T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”, tha ai.

Për më shumë se dy javë, qyteti ka parë bombardime të shpeshta, ku forcat ruse kanë goditur strehimoret e civilëve, një spital për fëmijë dhe maternitet, si dhe disa ndërtesa banimi. Më shumë se 2,400 njerëz thuhet se janë vrarë në qytet; ka varre masive dhe trupa në rrugë.