Drogë në shtëpinë e ish-gjyqtarit?! Gjykata dënon me 44 vite 7 grabitësit e banesave në kryeqytet
Një grup prej 7 grabitësish që ishin kthyer në tmerrin e familjeve të pasura në Tiranë u dënuan nga gjykata me 44 vite burg ne total. Ata u arrestuan rreth një vit më pare gjatë operacionit Mozaiku, ndërsa kishin shkuar për të grabitur banesën e një ish-gjyqtari të Gjykatës së Lartë. Gjatë dëshmisë në gjykatë të arrestuarit thanë se kishin informacion se në banesën e zyrtarit të drejtësisë kishte 4 kilogramë kokainë të pastër.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 44 vite burg në total 7 persona të akuzuar si autorë të një grupi që kryente grabitjeve në kryeqytet mes të cilave edhe në banesën e një ish gjyqtari të Gjykatës së Lartë.
Bëhet fjalë për të pandehurit Spartak Qoku, Petro Sava, Andi Kraja, Emel Hajdaraj Klaudio Metaj, Aleks Kala dhe Franci Alimi të arrestuar rreth një vit me parë gjatë operacionit të koduar “Mozaiku”.
Ata u kapën në flagrancë duke vjedhur një banesë ndërsa sipas materialit të Prokurorisë mes të pandehurve është edhe një ish-punonjës i gardës së republikës dhe një agjent kredie i një banke te nivelit të dytë. Ata mendonin çdo detaj të grabitjeve ku secili anëtar kishte role të ndara, që nga gjetja e armëve, dhe tek informacionet për pronarët e shtëpive duke pasur në shënjestër familjet e pasura.
Vetë të pandehurit kanë pranuar para Gjykatës së kanë shkuar për të grabitur ne banesën e një ish-anëtari të Gjykatës së Lartë, pasi kishin informacion se në shtëpinë e tij kishte leke, kokaine dhe ora floriri.
“Ne fillim kemi shkuar dhe kemi parkuar tek Mozaiku që të dyja makinat, ngjitur me njëra-tjetrën dhe kemi biseduar përsëri që të shkonim dhe të hynim për të vjedhur në shtepinë e Bolit pasi unë kisha informacion nga Andi Shkurti se Boli kishte një qese dixhitali plot me lekë, kishte 3-4 kilogram kokainë të paster dhe rreth 10 ora floriri të kushtueshme, vetura të kushtueshme si benz, mazerati etj.”
Dënime më të rënda nga Gjykata morën Spartak Qoku Franc Alimi Aleks Kola dhe Emel Hajdaraj të cilët rezultonin autor të disa grabitjeve. Ata u dënuan nga Gjykata nga 10 deri ne 15 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitojnë uljen e nja te tretës ndërsa tre të pandehurit e tjerë u dënuan vetëm për moskallëzim krimi.

---------------------------------------
Ky është një artikull ekskluziv që RTV Ora e Ora News gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar oranews.tv dhe detyrimisht shoqëruar me linkun e artikullit original.

