“Bordi i Ramës” Buxhuku: Tregu i karburanteve kartel, 300 mln € në vit shkojnë te xhepat e operatorët

Në një intervistë për Ora News, kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku u shpreh se situata ekonomike në Shqipëri ka qenë e vështirë edhe pa nisur lufta.

Ai theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësi që të ishte nga vendet më të zhvilluara të rajonit sa i takon pasurive në Evropë.

Buxhuku: Situata në Shqipëri ka qenë e vështirë edhe pa nisur lufta, pasi ne kemi probleme të grumbulluara të pazgjidhura. Ajo që ndodhi me krizën ishte luga e fundit që zbrazi gotën. Mbrojtja nga çmimet në një ekonomi normale, duhet të vinte nga tregu i lirë. Shqipëria i ka të gjitha mundësi që të ishte nga vendet më të zhvilluara të rajonit sa i takon pasurive në Evropë. Është një fatkeqësi që gjendemi përballë krizave të tilla. Duke pasur parasysh këto pasuri që kemi, ne nuk duhet të ishim në krizë, por në avantazh ndaj vendeve të tjera.

Por nuk është kështu sepse jemi në një krizë nga pikëpamje ekonomike me duart e ngritura sipër. Fakti që ne nuk bëjmë detyrat tona ën kohë paqeje, por vetëm shtojmë vështirësi dhe i përligjim ato në kohë lufte, ashtu sikurse bëmë me covidin.

Buxhuku shtoi se Tregu i karburanteve në vendin tonë është një treg jo i lirë, por një kartel i kapur dhe se ngritja e Bordit nga qeveria e tregon këtë gjë.

Buxhuku: Ne gjatë gjithë këtyre viteve kemi përsëritur që të ngrihet një ent rregullator i karburanteve, por politika e ka anashkaluar. Kriza dhe lufta në Ukrainë ka prekur nervin fundor të kësaj çështjeje. Fakti që është ngritur ky bord ka vënë në dukje problemin e përhershëm me karburantet që ka në tregun tonë. Tregu i karburanteve në vendin tonë është një treg jo i lirë, por një kartel i kapur. Kësaj i shmangej qeveria shqiptare dhe nuk bënte punën e vet. Me Bordin qeveria ka pranuar se kemi treg të kapur dhe jo të lirë. Tregu i karburanteve është tregu më kancerogjen. Ka një kontrabandë masive. Flitet për 300 milionë euro që nuk arkëtohen në shtet, por në xhepat e operatorëve.