FMN: Lufta në Ukrainë do të godasë të gjithë ekonominë botërore, do të rriten çmimet

Pushtimi rus i Ukrainës do të ndikojë në të gjithë ekonominë botërore duke rritur inflacionin dhe ndryshojë rrënjësisht rendin ekonomik botëror, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në një reagim zyrtar, FMN vlerëson se parashikimi për rritjen ekonomike globale prej 4.4% do të ulet.

Konflikti Rusi-Ukrainë do të rrisë çmimet dhe do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Është ky paralajmërimi që bën Fondi Monetar Ndërkombëtar në lidhje me situatën ekonomike që ka përfshirë botën që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas FMN, parashikohet një ndryshim rrënjësor i formës se rendit ekonomik dhe gjeopolitik për shkak të  situatës energjitike dhe rikonfigurimit te zinxhirëve te furnizimit. Ky institucion vlerëson se përveç vuajtjeve njerëzore dhe fluksit të refugjatëve, kjo luftë do të nxisë  rritjen e inflacionit dhe do të sjellë pasiguri të lartë tek investitorët.

Zyrtarët e FMN-së kanë njoftuar se muajin e ardhshëm do të ulin parashikimin e mëparshëm për rritje ekonomike globale 4.4 për qind për këtë vit, ndërsa kanë treguar se ndoshta do të ulin parashikimet edhe për rajone të caktuara.

FMN parashikon një recesion të thellë në Ukrainë dhe Rusi, ndërsa Evropa mund të përballet me ndërprerje në importet e gazit natyror dhe zinxhirët e furnizimit.

Vendet evropiane mund të përballen me presione të shtuara buxhetore për shkak të shpenzimeve më të larta të paralajmëruara për sigurinë energjetike dhe mbrojtjen, thuhet në reagimin zyrtar të Fondit.

Rritjet e çmimeve për ushqimin dhe karburantin mund të nxisin trazira në disa rajone nga Afrika Sub-Sahariane dhe Amerika Latine në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, ndërsa pasiguria ushqimore ka të ngjarë të rritet në disa pjesë të Afrikës dhe Lindjes së Mesme.