Berisha hedh "bombën": Qeveritarët përdorin telefonin pa kartë "BQ", kanë porositur edhe vrasje
Ish-kryeministri, Sali Berisha, ishte i ftuar në emisionin "Ora e Betit" për të folur mbi zhvillimet politike në vend. Ai bëri një akuzë të fortë ku tha se zyrtarë të lartë shqiptarë kanë porositur vrasje me telefon. Sa i përket protestës së qytetarëve kundër rritjes abuzive së çmimeve, Berisha tha se aty, në protestë, ka edhe bërryla socialistë që janë në betejë me njëri- tjetrin.
Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Rtv Ora mbrëmjen e kësaj të marte, 15 mars.
Ish-kreu i qeverisë hodhi një akuzë të fortë, ku tha se zyrtarë të lartë sot përdorin telefonin pa kartë "BQ" për të porositur vrasje.
Berisha: Nëse ti merr malin e deklaratave dhe lavdërimeve në këto 9 vite Shqipëria të paktën nja 15 kapituj të procesit të negociatave do i kishte mbyllur deri sot për sukseset e mëdha. E vërteta është krejt tjetër. Prandaj Shqipërisë nuk ja hapin. Ekziston një breshëri e tillë deklaratash ku ka progres, por ekziston një dosje e madhe e telefonit "BQ", e cila i ka bërë radiografinë këtij regjimi. Është një telefon special ai. Ata që e kanë përdorur i kanë bërë vetes radiografinë.
Kjo është një nga shkaqet kryesore se pse Shqipëria mbetet këtu ku është, pse Serbia mbetet aty ku është. Ky na qenka një telefon pa kartë të cilin rëndom e kanë përdorur dhe qeveritarët tanë. Me kë kanë folur...kanë folur me kë kanë dashur vetë. Kanë folur me organizatat kriminale. Kanë porositur vrasje, po po. Kanë porositur vrasje. Unë sot e mora vesh, se unë kujtoja se ishte ndonjë aplikacion kjo "BQ". Ky qenka telefon ka kartë. Ky është cunam i nëndheshëm. Unë pa të dhëna konkrete nuk e nxirrja sonte këtë çështje këtu. Po tregoj këtu lidhje vertikale në të gjitha nivelet me krimin.
Sa i përket protestës kundër rritjes abuzive të çmimeve, Berisha tha se aty ka edhe bërryla socialistë që duan të prevalojnë.
Ish-kryeministri e cilësoi Ballkanin e Hapur si korridor rus në rajon.
Sa i përket një parashikimi për ngjarjet e ardhshme politike në vend, Berisha tha se ai dhe Meta do të jenë në krye të opozitës.
Berisha e ka cilësuar sërish Ambasadoren amerikane si guvernatore, teksa tha se kreu i PD-së, Lulzim Basha, nuk është kryetar zyrtarisht, pasi ai është vetëm për Ramën dhe Yuri Kimin.
Berisha: Unë kam shprehur qëndrimet e mia për deklaratën që ka bërë, deklaratë e papajtueshme, antidemokratike, ndërhyrje në një proces zgjedhor të një vendi anëtar të NATO-s. Unë nuk kam lidhje me të, nuk kam komunikim me zonjën. Unë kërkoj që ajo dhe çdo Ambasador të respektojë Konventën e Vjenës, Kushtetutën e vendit sepse kjo është një domosdoshmëri për arsye se duke marrë në patronazh qeverinë, patronazhimi i qeverisë nga guvernatorët, vendi shkon poshtë e më poshtë.
