"Në medie s'është lufta e vërtetë", ukrainasja ruse në Tiranë: Në Shqipëri gjetëm mbështetje

Elena, mama e dy fëmijëve, njëri 19 dhe tjetri 6 vjeç është një nga pak ukrainas që kanë ardhur në vendin tonë si pasojë e konfliktit atje. Ajo rrëfeu për Ora News se një mik i kishte thënë të vinte në Shqipëri pasi vizitoi territorin sllovak.

Për vendin tonë tha se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë dhe nuk e dinte as se ku binte.

"Pasi ikëm nga Ukraina shkuam në Sllovaki dhe një mik më tha që të vija këtu në Shqipëri. Thashë me vete kam dy fëmijë, si mund të shkoj në një vend që as nuk e njoh. Më pas erdhëm këtu dhe nuk e isha imagjinuar kurrë se si do të ishte. Këtu gjetëm mbështetje dhe suport të mjaftueshëm, jam mirënjohëse", tha Elena.

Lidhur me situatën aktuale që po përjeton Ukraina, Elena tha se asgjë nuk është ashtu siç duket, pra nuk është ajo që pasqyrohet në medie.

"Ju nuk e keni idenë se çfarë është duke ndodhur atje, bombardimet janë nga çdo anë. Ajo që media pasqyron nuk është gjithçka. Ata po vrasin çdokënd pa dallim nëse janë fëmijë, burra apo gra", tha Elena.

Rusët tha se i donte shumë pasi babai i saj vinte nga Rusia, por marrëdhëniet me ta nuk do të jenë më si më parë.

"Me rusët kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë. Babai im vjen nga Rusia por Moska ka një armë shumë të fortë, propagandën në media dhe rusët nuk e dinë realisht se çfarë po ndodh atje. Populli rus është shumë i zgjuar dhe unë i kam dashur shumë, por marrëdhëniet tona nuk do të jenë më si më parë", tha Elena.

Në fund të bisedës Elena ftoi gazetarin e Ora News që të vizitojë Ukrainën pasi lufta të mbarojë dhe pasi vendi të rindërtohet.

Ajo beson se lufta do të përfundojë shumë herët megjithëse e di se dëmet do të jenë madhore.