Nga Ukraina në Shqipëri, Elena kërkon strehim në Tiranë, rrëfen për Ora News tmerret e luftës

Elena, mama e dy fëmijëve, njëri 19 dhe tjetri 6 vjeç është një nga pak ukrainas që kanë ardhur në vendin tonë si pasojë e konfliktit atje. Ajo rrëfeu për Ora News se një mik i kishte thënë të vinte në Shqipëri pasi vizitoi territorin sllovak. Për vendin tonë tha se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë dhe nuk e dinte as se ku binte. Lidhur me situatën aktuale që po përjeton Ukraina Elena tha se asgjë nuk është ashtu siç duket, pra nuk është ajo që pasqyrohet në medie. Rusët tha se i donte shumë pasi babai i saj vinte nga Rusia, por marrëdhëniet me ta nuk do të jenë më si më parë.

Intervista e plotë 

Rtv Ora: Çfarë rruge ndoqët për të ardhur nga Ukrainë këtu, në vendin tonë?

Elena: Përshëndetje jam e kënaqur të jem këtu dhe të shpërndaj informacionet reale rreth Ukrainës, sepse të huajt nuk e dinë historinë e vërtetë dhe shpresoj që të shpjegoj të gjithë situatën se çfarë po ndodh atje. E gjitha filloi kur ishim në shtëpi dhe dëgjuam bombardimet, një shok më mori në telefon dhe më tha se lufta ka filluar. U shokova dhe nuk kuptova gjë dhe patëm pak panik, por shtëpia jonë ishte në kufi dhe mundëm të shikonim trupat ruse dhe gjithçka tjetër. Ne e lamë shtëpinë dhe shkuam në një godinë tjetër në qendër të qytetit. Shpenzuam disa ditë me të afërmit tanë dhe nuk e mbaj mend ekzaktësisht se sa qëndruam, sepse ne nuk shihnim dot diellin, nuk dinim nëse ishte ditë apo natë dhe dy djemtë e mi ishin vërtet të frikësuar sepse granatimet vazhdonin kudo. Dhe nuk e mbaj mend nëse ishte e premte apo... nuk ka rëndësi. Ishte dita e katërt ose e pestë e horrorit. Dëgjuam një shpërthim gjigant pranë shtëpisë sonë në qendër të qytetit. Banesa jonë po dridhej dhe mu desh të bëja gati valixhet, të merrja djemtë e mi dhe të shkoja drejt stacionit të trenit sepse shokët e klasës të djemve të mi ishin atje, ata na telefonuan dhe na pritën që të shkonim atje për të na dhënë më shumë informacione. Mora në telefon motrën time e cila ka një fëmijë 2 vjeç dhe thjesht kam qarë, për rreth 10 minuta ne u takuam në stacionin e trenit, aty kishte mijëra njerëz me qen, mace, fëmijë, shumë studentë nga e gjithë bota, shumica e tyre nga India. Ne ishim me fëmijën dhe na lejuan të hipnim në tren dhe udhëtuam për rreth 15 orë për të shkuar në perëndim të Ukrainës, sepse shtëpia jonë është në lindje. U takuam me disa vullnetarë dhe ishte hera e parë që flinim në shtrat. Mundëm të ngroheshim dhe të ushqeheshim, ishte si një parajsë për ne. Sigurisht që fëmijët janë shumë të frikësuar, veçanërisht djali i vogël, i cili qante gjatë gjithë kohës ditët e para, por më vonë i shpjegova gjithçka dhe filloi të qetësohej. Vullnetarët na ndihmuan që të shkonim në kufirin me Sllovakinë dhe e kaluam shumë shpejt, për afro dy orë. Dhe më pas ne qëndruam në Sllovaki për 5 ditë të tjera, por situata aty ishte shumë e vështirë, kishte shumë refugjatë nga Ukraina dhe një mik më tha, shko në Shqipëri! Mendova, oh Zot, unë jam me fëmijë dhe nuk di asgjë rreth Shqipërisë. Dhe kështu erdhëm në Shqipëri dhe këtu kemi gjetur një mbështetje të mrekullueshme nga miqtë tanë. Kemi takuar shumë miq të rinj të shkëlqyer. Ne kemi një plan A, një plan B për jetën tonë dhe nuk e dimë se cili do të funksionojë

Rtv Ora: A keni menduar se sa do të qëndroni këtu në Shqipëri? Cila është përshtypja e parë për Shqipërinë dhe populli i saj?

Elena: Përshtypja e parë është, shumë njerëz miqësorë dhe shqiptarët na mbështetën shumë në këtë rrugë në këto rrethana dhe është shumë e rëndësishme për ne që të ndjejmë këtë mbështetje. Nuk e prisja të them të drejtën, nuk e dija këtë shtet dhe nuk njihja asnjë njeri këtu, nuk e kisha imagjinuar se do të isha këtu. Jam shumë mirënjohëse dhe e lumtur që po qëndroj në Shqipëri. Jam e impresionuar.

Rtv Ora: Elena ju thatë që ju desh të iknit nga Ukraina, por a njihni ndokënd nga të afërmit tuaj, vëllezër, kushërinj ose fqinj që kanë shkuar në luftë si vullnetarë apo qoftë edhe si ushtarë të ushtrisë ukrainase?

Elena: Sigurisht njoh shumë njerëz që po mbrojnë kombin tonë, njoh shumë vullnetarë me të cilën mbaj kontakte. Këta njerëz janë shumë trima dhe është shumë e pasigurt të jesh vullnetar në Karkiv tani, sepse ata i vrasin vullnetarët, ata vrasin çdokënd. Ata gjuajnë drejt spitaleve, civilëve dhe drejt vullnetarëve gjithashtu fatkeqësisht. Po të gjithë miqtë e mi që ndodhen në Ukrainë kanë shkuar vullnetarë në luftë. Ata ndihmojnë njëri-tjetrin, ndihmojnë të moshuarit. Ndërsa me ata që janë në ushtrinë ukrainase nuk mbajmë kontakte, ata nuk shpërndajnë informacionin real, por mesa di, situata është shumë herë më e rëndë nga sa e shohim në media. Në të gjitha kanalet e komunikimit që ne kemi situata është shumë herë më e keqe fatkeqësisht.

Rtv Ora: Unë desha të dija për përshtypjet që keni për Rusinë dhe veçanërisht për popullin rus. Si janë marrëdhëniet tuaja dhe cilat janë lidhjet mes dy kombeve?

Elena: Kjo është një pyetje interesante, sepse marrëdhëniet tona kanë ndryshuar në mënyrë dramatike që me fillimin e luftës.

Më përpara unë kam pasur shokë dhe të afërm atje dhe meqë ra fjala, babai im është nga Rusia dhe sigurisht kam pasur shumë lidhje, por kur lufta filloi, tentova t’u shkruaj një mesazh të afërmve të mi atje dhe ata nuk më kthyen përgjigje. Kur shoh komentet në rrjetet sociale rreth asaj që po ndodh në Ukrainë dhe ajo që ata shkruajnë, nuk mund ta besoj që ata mendojnë ashtu. Propaganda në Rusi është arma më e madhe dhe kjo armë mendoj që po dëmton më shumë rusët se sa ukrainasit. Ata janë shumë njerëz të zgjuar të cilët janë duke vuajtur goxha tani. Por vërtet nuk mund ta kuptoj çfarë mund të ndjesh rreth kësaj. Unë jam rritur me këta njerëz dhe i dua ata njerëz, nuk është e thjeshtë ta shpjegosh. Marrëdhëniet tona pas gjithë kësaj, nuk jam e sigurt se do jem gati për të pasur marrëdhënie të mira sërish me ta, nuk është e lehtë.

Rtv Ora: Cila ishte përshtypja juaj rreth nisjes së luftës, pra ju shikonit në lajme që Rusia do të pushtojë Ukrainën, por a e besonit ju këtë?

Elena: Një muaj përpara se të niste lufta, isha duke udhëtuar me tren nga Kievi për në Karkiv dhe u intervistova nga Ëashinton Post dhe ata më pyetën: Kur të nisë lufta, çfarë do të bëni? Dhe unë thash, oh lufta nuk ka për të filluar në Ukrainë, veçanërisht në qytetin tonë. Ishte komplet pa sens. Dhe ata më thanë: dakord, po kurë të fillojë, çfarë do të bësh? Dhe ju thashë jo, e sheh, ishte një mendim i drejtpërdrejtë për luftën. Ata thanë që do të nisë realisht, por unë nuk e besova, nuk besoja asnjë nga politikanët që thoshin se ajo mund të fillojë. Unë pashë disa njerëz që po largoheshin nga Ukraina, por të shkojë deri këtu?! Më besoni qyteti im është një nga vendet ku është investuar më shumë në Ukrainë, ne kishim parqe gjigante, sapo ndërtuam kopshtin e ri zoologjik, i cili ishte një nga më të mëdhenjtë në Ukrainë dhe sapo u hap në gusht, kush mund ta besonte se kjo do të ndodhte kështu, askush s’e besonte dhe pritshmëritë e mia për fillimin e luftës ishin... mendova se do të vinin dhe thjesht do të bënin një pau-pau dhe do të largoheshin. Por tani ata janë duke bombarduar dhe duke shkatërruar gjithçka dhe çdo kënd pa dallim nëse janë civilë, spitale, fëmijë apo gra. Është e tmerrshme, askush s’mund ta besojë, unë ende nuk arrij ta besoj atë që po ndodh atje.

Rtv Ora: Ne folëm për pritshmëritë tuaja për fillimin e luftës, por si e parashikoni mbylljen e saj. Pra a keni një ide se kur dhe si mund të përfundojë lufta?

Elena: Jam optimiste për përfundimin e luftës, jam absolutisht e sigurt që fundi do të vijë sa më shpejt të jetë e mundur dhe mendoj se tani, sot, por të jem e sinqertë, e kuptoj që këto shkatërrime në kohë nuk mund të ndalen menjëherë. Unë e kuptoj që do na duhet të rindërtojmë gjithçka, për të rregulluar gjithçka, e vetmja gjë që nuk rregullojmë dot, janë jetët, sepse ka shumë viktima dhe shumë zemra të thyera. Pra ata patën gjithçka dhe papritur në pak minuta ata nuk kanë asgjë. Ata nuk kanë burrat, gratë, fëmijët, të cilat janë shkatërrimet më të mëdha për  njerëzimin. Për vete, nuk e di ku do shkoj nesër, por jam shumë e sigurt se unë do të ndihmoj kombin tim dhe çdo shtet tjetër nëse nuk rikthehem atje. Por nëse shkoj përsëri, unë do ta rindërtoj vendin me duart e mia, sepse e dua vendin tim, e dua qytetin tim. Kam pasur dhjetëra miq, të afërm. Vende të dashura, shkolla, universiteti, vendet ku kam punuar, ne do të bëjmë më të mirën për të ribashkuar vendin tonë dhe jam e sigurt se do të jemi në gjendje të të ftojmë ty në pak kohë që të vish të marrësh intervista në Ukrainën e rindërtuar dhe në qytetin tonë, Karkiv ku do shohësh se sa madhështor është qyteti ynë dhe do mahnitesh se sa të bashkuar, trima dhe të fortë do të dalin njerëzit nga lufta. Jam e sigurt çdo gjë do të bëhet mirë.