Berisha: Pas 25 prillit do të punoja ta shkarkoja Bashën, në 6 mars 70% e demokratëve më votuan
Në “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se pas 25 prillit ai brenda grupit parlamentar do të bënte gjithçka që Basha të ikte nga drejtimi i partisë.
Ai tha se gjithçka ndryshoi kur Basha shpalli vendimin e 9 shtator kur përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.
Berisha: Pas 25 prillit ju garantoj që unë në atë projektin tim brenda grupit parlamentar do të bëja gjithçka që ai të ikte nga drejtimi i partisë. Por ky krijoi një ngjarje tjetër, në 9 shtator mori vendimin anti statut dhe anti kushtetues të përjashtimit tim nga grupi. Ai nuk pyeti asnjeri kur nuk ka asnjë fuqi për masa disiplinore.
Ky ishte një vendim anti kushtetues sepse iu nënshtrua një presioni të jashtëm që i diktonte se kush do të hynte në parlament dhe kush jo. Si do të kapërcehet kjo? Shumë thjeshtë. Ne filluam një lëvizje që përfundoi me 6 mars. Fitorja në Shkodër ishte shumë cilësore. Elektorati i djathtë në 70% votoi për Sali Berishën.

