Olli: Çmimet rezultat i uzurpimit të tregut nga një grup i vogël njerëzish që nxjerrin jashtë loje qeverinë

Anëtari i Bordit Drejtues të Bindjes Demokratike, Leonard Olli është shprehur se e keqja në vendin tonë nuk është vetëm për shkak të çmimeve, por edhe për shkak të keqqeverisjes.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Olli thotë administrata publike çalon në të gjithë sektorët ndërsa shton se qeveria është jashtë çfarëdolloj parametri.

Leonard Olli: Qeveria në vend që të shikojë me vëmendje më të madhe, jo thjesht dhe vetëm pjesën e një rritje të natyrshme, në situatat e një krize globale, përpiqet me metoda bizantine të rrëzojë çfarëdolloj pretendimi sepse e keqja nuk është thjesht në aspektin e rritjes së çmimeve të larta që ne kemi aktualisht, por është kryesisht prej faktit se kemi një keqqeverisje.

Këtë nuk mund ta kundërshtoj dot askush sepse është i prekshëm në të gjithë parametrat e vet. Është një moment që administrata publike në të gjithë sektorët e vet çalon, qeveria në të gjithë pjesën e vizionit, ndërtimit të zhvillimit  të ekonomisë shqiptare, është totalisht jashtë çfarëdolloj parametri dhe nga ana tjetër kemi dhe kompleksitetin që sjellë lufta në Ukrainë.

 Teksa mbështet protestat kundër rritjes së çmimeve, Olli thotë këto të fundit janë të mirëpritura në çdo lloj situate edhe nëse qeveria ndodhet në krizë.

Ai thotë se çmimet në treg nik janë reale por janë rezultat i një uzurpimi të tregut nga një grup i vogël njerëzish që përcaktojnë edhe çmimet  në tregun shqiptar.

Leonard Olli: Protestat janë të mirëpritura në çdo moment dhe në çdo situatë. Protestat janë të mirëpritura të ndodhin dhe kur një qeveri ndodhet në krizë. Shqipëria është vendi që vuan çmimet më të larta në rajon. Këto çmime  nuk janë reale, por janë rezultat i një uzurpimi të tregut nga një grup i vogël njerëzish që përcaktojnë edhe çmimet  në tregun shqiptar, duke e nxjerrë jashtë loje qeverinë.

Përgatiti Anila Kolgjini.