Mbyllet dita e 7-të e revoltës kundër rritjes së çmimeve. Të shtunën protestë 24 orëshe nëse nuk plotësohen kërkesat
Është mbyllur protesta e ditës së 7-të, kundër rritjes së çmimit të naftës dhe të produkteve ushqimore.
Protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzimin e qëndrimeve të tyre të shtunën në rast se qeveria nuk do të reagojë.
Përmes një pakete me 6 kërkesa, e cila nis me heqjen e taksës së karburanteve, ndihmë për fermerët dhe hetimin e koncesioneve, tubuesit para kryeministrisë theksuan se gjithçka ka të bëjë me uljen e çmimeve të shportës.
"Pezullimi i taksës së qarkullimit dhe i taksës së karbonit, zerimi i përkohshëm i TVSH-së së produkteve të shportës dhe ulja në masën 10% në vijim. Mbikëqyrja periodike dhe rigoroze e tregut për reflektimin e çmimeve përkatëse. Përcaktim i përkohshëm i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve si dhe hetim e mbikëqyrje në vijimësi e operatorëve ekonomikë", tha avokati Adriatik Lapaj.
Në rast se kushtet nuk do të realizohen të shtunën është paralajmëruar protestë pa ndalim para selisë së qeverisë.
"Do zëmë sheshin dhe nuk do largohemi deri sa të plotësohen kërkesat, natë dhe ditë."
Në shkallën e improvizuar si tribunë para pjesëmarrësve u ngritën shqetësimet mbi situatën ekonomike të familjeve.
"Unë dua të bëj një falenderim për sponsorat rusë të cilët na sponsorizuan ne që dolëm në protestë", tha aktori Florian Binaj.
"Pse duhet ne të vuajmë, pse duhet fëmijët tanë të vuajnë. Erion Veliaj nga një krah ka bllokuar gjithë Tiranën."
Pjesëmarrja këtë të majtë ishte më e ulët, por që këtë të martë nisi prej paradites me reagimin e studentëve.
