"Shqipëria i ka heronjtë", i riu u mbajt 3 ditë në qeli: Turpi është Edi Rama

Gentjan Tufja i cili u mbajt për 3 ditë në qelitë e burgut sot përpara kryeministrisë, në ditën e shtatë të protestës tha se turpi është për Edi Ramën. Tufja u shpreh se arrestimet e të rinjve janë bërë padrejtësisht.

"Për demokracinë popullore të Edi Ramës është shenjë solidaritetit me popullin e Ukrainës që të arrestojë studentët, qytetarët dhe aktivistët dhe t'i mbajë për 3 net në birucë. Nëse ky është turp i këtij shteti atëherë mendoj se turpi i vërtetë është me Edi Ramën. Unë mendoj që nëse gjithë shqiptarët janë mbledhur këtu ata kanë pasur një armik të përbashkët dhe ai është Edi Rama. Solidarizohem me gjithë ata të burgosur politik të regjimit  të Edi Ramës që i ka mbajtur atje padrejtësisht, na kanë arrestuar nëpër trotuaret e atdheut tonë. Turpi i vërtetë është vetëm për Edi Ramën."

Ai i bëri thirrje gjithë të rinjve që të mbushin sheshet dhe të protestojnë për të drejtat e tyre, për të drejtën e fjalës dhe për të drejtën e protestës.

"I bëj thirrje qytetarëve që mos tremben nga dhuna dhe represioni i këtij regjimi, por të dalin dhe të protestojnë këtu në shesh. Edi Rama nuk mund ta mbajë peng Shqipërinë, Edi Rama është në tërheqje e sipër që tregon se ne kemi pasur të drejtë, por e drejta jonë nuk është çuar akoma në fund. Kur jam arrestuar nafta ishte 290 lekë dhe kryeministri tha vetëm do rritet. Kur dola nafta ishte 217 lekë. Kjo tregon se arrestimi jonë ishte i padrejtë dhe protesta jonë ishte e drejtë. Turpi ishte për Edi Ramën. Mjerë ai populli që ka nevojë për heronj. Mjerë ai popull që nuk i ka heronjtë kur i duhen. Heronjtë e këtij populli jeni ju, Shqipëria i ka heronjtë."