"Nuk ulim naftën të mbushen X5", Shehi: Ato makina i ka lejuar Rama, janë njerëzit e tij e të drogës
Kryeministri Rama është shprehur se asnjë taksë nuk do të hiqet nga nafta. Deputeti Dashamir Shehi i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se makina sot nuk është më një luks. Gjysma e bizneseve të vogla e përdorin makinën për punë sipas zoti Shehi.
Shehi: E di pse nuk duan t'i ulin taksat mbi karburantet? Karburanti është taksa më e kollajtë që mbledh kjo qeveri. Ngaqë nuk ka një administratë të mirëfilltë fiskale i mbledhin direkt atje te trau në port. Duke u rritur çmimi i karburantit i rriten taksat, i rritet përfitimi sepse e mbledhin direkt. Ky mendon që këto janë para të sigurta, i mbledh aty.
Ky nuk e kupton që këto para bien në kurriz të qytetarit, dhe jo të qytetarit siç thotë ky që "ka makinë të shtrenjtë dhe të madhe." Ai që ka makinë të shtrenjtë dhe të madhe nuk është se po i bie në mend që është rritur karburanti. Rritja e çmimit kërrys atë që ka makinën e vogël. Një pjesë e makinave që ecin në rrugë nuk ecin për qejf. Gjysma e biznesit të vogël ec me makinë, makina nuk është më koncept luksi. Ata që vijnë vërdallë me ato makinat e zeza të mëdha që po ky i ka lënë, janë njerëzit e këtij, janë ata të drogës.
Zoti Shehi tha se e kuptojmë luftën dhe çmimet ndërkombëtare dhe jemi gati si popull shqiptar që të paguajmë një pjesë të tyre, por shteti nuk duhet t'ia ngarkojë këtë faturë fukarenjve dhe të vazhdojë PPP dhe tenderat me miliona.
