Brdariç nuk është më trajneri i Vllaznisë, klubi e shkarkon nga detyra

Pas humbjes me Tiranën vjen dhe vendimi i papritur nga Vllaznia. Thomas Brdariç nuk është më trajneri i Vllaznisë duke mbyllur kështu aventurën pothuajse 2-vjeçare me trajnerin gjerman me origjinë nga Kroacia.

Në fakt, pas humbjes ishte Brdariç që reagoi keq kur gazetarët e pyetën nëse i frikësohet shkarkimit dhe ai i nervozuar braktisi konferencën duke e konsideruar fyese atë pyetje pasi një humbje me Tiranën qëndron sipas mendimit të tij. Por ja që për presidentin Xhaferri nuk mjafton të luftohet për vendin e katërt dhe sot erdhi dhe vendimi zyrtar për largimin e Brdariç.

Mbyllet kështu një aventurë e gjatë me një trofe të fituar, atë të Kupës së Shqipërisë teksa trajneri zbarkoi më 7 gusht 2020 në Shqipëri dhe sot duhet të largohet sërish.

"Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka vendosur ndërprerjen e marëdhënies me trajnerin Thomas Brdariç. Në vazhdimësi ekipi do të drejtohet nga traineri Elvis Plori. Me këtë rast, falenderojmë trajnerin Brdariç për të gjithë kontributin e dhënë dhe i urojmë suksese ne karrierën e tij!"/Ora News/.