Longo sërish protagonist me intervistat. Gega: Më kënaq barazimi
Kukësi u rikthye te fitorja çka e lë në vend të tretë në renditje. Skuadra verilindore ka reaguar pas një sërë rezultatesh negative teksa trajneri Longo nuk po mban një komunikim normal me mediat pas ndeshjeve. Herën e kaluar ai nuk u paraqit në intervistën pas ndeshjes ndërsa sot sërish sapo u paraqit gjeti një shkas për t’u larguar.
“Përshëndetje, para së gjithash kam qenë dhe jam i lumtur me ekipin. E dyta nuk dua të flas deri sa të mësoj shqip. Sepse nuk dua që njerëzit të keqkuptojnë fjalët që them”, u shpreh trajneri para se të braktiste intervistën.
Në anën tjetër, nuk mund ta niste më mirë se kaq Skënder Gega me Skënderbeun ku mori një barazim ndaj Laçit. Ai u shpreh i kënaqur me pikën e parë por pranoi se ky ekip nuk mund të bëjë gjëra shumë të mëdha.
“Duke parë situatën e Skënderbeut, mund të them se ka qenë një javë e vështirë dhe unë jam munduar të kontribuoj me eksperiencën time. Mund të them se ishte shumë e rëndësishme të merrnim këtë pikë, pasi përballeshim me një ekip shumë të fortë, që ka krijuar tashmë një strukturë. Ndaj jam i kënaqur me atë që dhamë në fushën e lojës. Futbollistët e Skënderbeut janë të rinj dhe natyrisht e ardhmja, por koha është shumë e shkurtër dhe nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha. Unë jam munduar që të përqendrohem te puna e Memellit dhe të kontribuoj për të përforcuar edhe më shumë ekipin. Është një sfidë e vështirë, por stimuluese, pasi ky është profesioni ynë dhe për më tepër, më pëlqen ambienti në këtë klub dhe shpresoj të bëjmë mirë edhe në fushë. Sot Zguro nuk pati asnjë faj, por ndoshta një opinion për të kaluarën ndikoi. Megjithatë unë i besoj Zguros dhe kam punuar shumë me të këto tri ditë. Zguros i kam thënë që nuk mund të jesh më i stresuar se Ardian Takaj, pasi do marrësh pjesën tënde dhe do kontribuosh me atë që ke mundësi. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë me eksperiencën tonë dhe të shohim a do t’ia dalim”, deklaroi Gega në fjalën e tij./Ora News/.
