Indrit Tuçi rikthehet me gol te Lokomotiva Zagrebi: Ëndërroj të luaj me Interin, vajzat nuk kemi nevojë t’i shohim në stadium...
Futbollisti i kombëtares Shpresa, Indrit Tuci, zhvilloi një performancë pozitive në kampionatin kroat duke shënuar golin e parë pas afro dy vitesh në fitoren 4-1 që Lokomotiva Zagreb arriti në transfertë përballë Sibenik, ku golin e vetëm për vendasit e realizoi Eros Grezda.
Për shkak të një dëmtimi të pësuar, Tuci, qëndroi jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme.
Në një intervistë për emisionin “Ora Sport” që transmetohet në “RTV ORA”, Tuci foli për golin, sezonin dhe ëndrrën e tij më të madhe.
“E kam takuar edhe Grezdën pas ndeshjes, arritëm që të shënonim të dy gola. Unë sa jam kthyer nga dëmtimi, po e marr veten gradualisht. Dua të shkoj sa më mirë te Lokomotiva e Zagrebit dhe të bëj hapin tjetër në karrierë. Jam unë, Cokaj, Mersini dhe Salihu që shkojmë shumë mirë këtu. Besnik Prega është lokomotiva që na tërheq të gjithëve këtu. Ëndrra më e madhe është që të luaj në Serie A me Inter”, tha Tuci.
I ngacmuar nga moderatorja Keçani për prezencën e tifozeve në stadium, sulmuesi u shpreh:
“Nuk kemi nevojë t’i shohim në stadium. Koha gjendet për gjithçka”, tha Tuci duke qeshur.
