Nafta çmim rekord, Duro: Situatë alarmante, ja çfarë duhet të bëjë qeveria
Ja Eksperti i Ekonomisë Enton Duro, është shprehur se çmimi i naftës në vendin tonë është shumë i lartë për ato shtresa që kanë nivel mesatar të të ardhurash.
Në një intervistë për Ora Neës, u shpreh se problemi kryesor në treg është mënyra se si ofruesit abuzojnë me pozitat dominuese që ato kanë në treg.
Ai tha se rritja e çmimeve vjen për pasojë e dy faktorëve: Çfarë ndodh në tregjet ndërkombëtare dhe nga faktori i brendshëm.
Enton Duro: Çmimi është i lartë për ato shtresa që kanë nivel mesatar të ardhurash dhe e kanë të vështirë të përballojnë një çmim kaq të lartë të naftës. Dy janë faktorët kryesorë: Çfarë ndodh në tregjet ndërkombëtare dhe e dyta është faktori i brendshëm. Çmimet e naftës në Shqipëri janë çmime oligopoli. Problemi te këto tregje është mënyra se si ofruesit mund të abuzojnë me pozitat dominuese që ato kanë në tregje. jemi në një situatë inflacioni të lartë. Inflacioni nuk përballet vetëm me çmimin e naftës. Jemi në një situatë alarmante të çmimeve.
Shoh presione që vijnë jo vetëm si rezultat i çmimeve nga tregjet ndërkombëtare, por këto ditë ka pasur një zhvlerësim të kursit të këmbimit. Ka një nismë nga qeveria për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike, dhe besoj se ky është një ndër lajmet e mira që mund të përmendim në këtë situatë panike.
Ai tha se qeveria duhet të diskutojë me aktorët që ofrojnë naftën në vend, në mënyrë që të ketë ulje.
Enton Duro: Do ishte e udhës që të frenohej çmimi i naftës. Besoj se ajo që duhet të bëjë qeveria është të ketë një komunikim me këta aktorë që të ofrojnë naftën në vend. Besoj se mund të gjenden mënyra optimizimi përsa i përket çmimit të naftës.
