Nafta mbi 230 lekë/litri, Rama: Sot prapë jemi mirë se ka dhe më keq
Solidariteti me Ukrainën ka kosto. Kështu deklaroi kryeministri Rama në një konferencë për shtyp për energjinë ku paralajmëroi se rritja e çmimit të karburanteve do të vijojë.
"Sot prapë jemi mirë se ka dhe më keq. Europa duhet të përgatitet për 300 dollarë fuçia e naftës. Është më shumë se dyfishi i çmimit aktual që është çmim marramendës në raport me ku ishim. Kemi qenë në 45 dollarë fuçia jemi në 127 dollarë" tha Rama.
Deklarata e kreut të qeverisë erdhi pak minuta pasi Shoqata e Transportit kërkoi rritje të çmimit të biletave pasi çmimi i naftës ka arritur nivelin 230 lekë për litër.
Por sipas Ramës, shtrenjtimi i arit të zi në Shqipëri ndikohet nga tregu dhe jo nga vendimet e qeverisë.
“Dua ta theksoj shumë qartë çmimi i naftës nuk varet nga qeveria. Nuk është qeveria në tregun e lirë në një vend qe e ka zgjedhur prej 32 vitesh tashmë, është tregu. Dhe natyrisht që tregu është super i ndjeshëm. Evropa ka hyrë në luftë"
Ai i konsideroi absurd kërkesat për heqjen e taksave të karburanteve, madje duke e konsideruar dhe mjet luksi qarkullimin me makinë.
“Kemi hequr çfare kemi mundur nga te gjitha llojet e taksave. Nuk kemi ku lëvizim me nga pikëpamja e heqjeve. Kemi kontribute që në vende të tjera paguhen veças. Shumatorja e shpenzimeve e atyre që konsumojnë naftë është njësoj"
Për qeverinë shqiptare duket çmimi i lartë i naftës është problemi më i vogël, por qytetarët ankohen se po përballen çdo ditë me kosto të shtuara edhe për produktet e tjera bazike.
