Shtrenjtohen importet, Sejko takon përfaqësuesit e FMN-së

Në takimin e fundit me përfaqësuesit e FMN, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vlerëson se lufta në Ukrainë do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të importit dhe lëndëve të para pavarësisht ekspozimit të ulët që ka ekonomia shqiptare ndaj vendeve të konfliktit.

Çmime më të larta për artikujt e importit dhe lëndët e para. Është ku impakti që ka konflikti në Lindje të Evropës në ekonominë shqiptare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e konfirmon faktin në takimin e zhvilluar me shefen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia ka një ekspozim të ulët ndaj vendeve të përfshira në konflikt. Sipas këtij institucioni, sistemi i shëndetshëm financiar, rezervat valutore dhe hapësirat për reagim të politikave monetare e fiskale, janë një garanci më shumë për përballimin e situatave kritike.

Sejko vlereson se situata financiare mbështet zhvillimin ekonomik të vendit dhe se Banka e Shqipërisë do të jetë e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të kontribuar në stabilizim.

Përfaqësuesit e FMN-së flasin për një situatë komplekse nga konflikti. Por ashtu si Banka e Shqipërisë, FMN vlerëson se ndikimi i luftës Rusi-Ukrainë në ekonominë e vendit tonë është i kufizuar.

Ekspertet ndërkombëtarë paralajmërojnë se sanksionet e vëna ndaj Rusisë shtojnë elementet e pasigurisë mbi pasojat indirekte.

Përfaqësuesit e FMN i sugjeruan Bankës së Shqipërisë të monitorojë situatën dhe të marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.