Tirana shumë e fortë, përmbys Vllazninë në derbin e Shqipërisë

Në “Loro Boriçi” u luajt sot një nga përballjet më të bukura që mund të dhurojë kampionati shqiptar, Vllaznia-Tirana. Në dy përballjet e para,bardheblutë fituan pikërisht në këtë stadium teksa në kryeqytet u ndanë në barazim dhe sot sërish janë bardheblutë që arrijnë të marrin maksimumin.

Skuadra e Shehit arriti të përmbyste vendasit në një përballje spektakolare, me emocione, gola dhe polemika.

Ishin vendasit që kaluan në avantazh që në 6’ me Aralicën pas një asisti perfekt nga Liridon Latifi. Sërish Aralica në 12’ arrin të dyfishojë por u anulua me VAR pas shumë protestash që siguriosht do të krijojnë polemika.

Në 35’ sërish Vllaznia ka mundësinë e artë për të mbyllur ndeshjen me një penallti të fituar për prekje me dorë dhe Latifi gabon në mënyrë të pafalshme.

Super pjesë e parë në Shkodër ku në 43’ ishte Ismajlgeci që vendos barazpeshën pas një goditje këndi.

Fraksioni i dytë është shumë i luftuar dhe me tension teksa në 70’, Tirana arrin të gjejë dhe golin e përmbysjes me Hotin që realizon falë një asisti nga Xhixha.

Minutat në vijim prodhojnë protesta dhe emocione por në fund është Tirana që fiton 2-1 duke marshuar drejt titullit./Ora News/.