Shkaktuan kaos me kërcënime, UEFA hap proçedim ndaj Al-Khelaifit dhe Leonardos
Fundi i tensionuar i ndeshjes, Real-PSG, me disfatën pariziene në Madrid sigurisht që do të ketë pasoja për PSG dhe për “kokat” e klubit. Siç konfirmoi UEFA, "është hapur një rast disiplinor kundër Nasser al-Khelaïfi dhe Leonardo, përkatësisht president dhe drejtor sportiv i PSG, dhe në përgjithësi kundër klubit parizien.
Sjellja e dy drejtuesve, të tërbuar në fund të takimit duke u ankuar ashpër ndaj arbitrimit do të sjellë dhe një pezullim ndoshta të gjatë për të dy. Rregullorja disiplinore e UEFA-s parashikon (neni 11) sanksione për ata që bien ndesh me "parimet e përgjithshme të sjelljes".
Ndër rastet e shqyrtuara është “Sjellja në mënyrë fyese ose që bie ndesh me rregullat elementare të drejtësisë”. Neni 15 i së njëjtës rregullore parashikon “sjelljen jo etike të lojtarëve dhe zyrtarëve”, dhe parashikohen pezullime dhe gjoba për ta.
Gjithashtu, për të përcaktuar përgjegjësitë, Komiteti Disiplinor i UEFA-s do të mbështetet në raportet e arbitrit dhe delegatit të tij për ndeshjen. Por mund të shkojë më tej pasi është bërë e ditur se "mund të përdoret çdo mjet prove", çka lë të kuptohet se një video që qarkullon e regjistruar në korridoret e stadiumit mund të jetë prove kundër Leonardos dhe Al-Khelaifit./Ora News/.
