Gega prezantohet te Skënderbeu në krah të Takaj: Besoj te skuadra

Ka nisur zyrtarisht aventura e Skënder Gegës te Skënderbeu. Ish trajneri i Partizanit dhe i Kukësit më parë, merr drejtimin e korçarëve me një mision të vështirë, të nxjerrë ekipin nga kriza për të siguruar mbijetesën.

Ai u prezantua sot në krye të korçarëve në krah të presidentit Ardian Takaj duke konfirmuar dëshirën për të ndihmuar skuadrën.

“Me presidentin jemi miq, dashamirësia nuk ka munguar as kur kemi qenë kundërshtarë. Ky është një profesion që e dashuroj, nuk është e thënë të jesh vetëm tek ekipet e vendeve të para. E kam për nder dhe ndihem i respektuar që do të jem në krye të ekipit të një qyteti si Korça. Jam optimist, ekipi është i mirë, është i mbushur me djem të rinj. Do i marrim me qetësi problemet, e rëndësishme dhe thelbësore është t’i besojmë njëri-tjetrit.  Jam munduar të shmang presionet kudo ku kam shkuar. Unë e shoh Skënderbeun si pretendent për të bërë hapa gradualisht, unë besoj. Të shohim ndeshjen më të afërt, që është dita e diel”.

Në konferencën e prezantimit nuk munguan komentet e Gegës për shanset për të qëndruar në elite dhe për cilësinë që ka në skuadër te Skënderbeu. Gjithashtu vlerësoi edhe punën që ka bërë Memelli me ekipin korçar.

Kjo është sfida ime, kam ardhur për presidentin Takaj dhe Skënderbeun në një moment të vështirë. Kam parë grupin, ekipi është i mirë, por të besojmë te njëri-tjetri. Pa optimizëm nuk vazhdohet përpara në futboll. Kam qenë suport për Memellin, ka bërë punë të mirë. Fati i ka munguar. Skënderbeu ka potencial për të dhënë më tepër, sepse janë djem të rinj. Lojtarët të kenë këmbët, mendjen dhe zemrën. Asgjë nuk u mungon.Sfida me Laçin? Skënderbeu ka edhe traditë, ka fituar tituj, pse jo të mos vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, ata janë ndër ekipet më të mira të Superiores. I respektojmë shumë, por do tentojmë të bëjmë më të mirën tone”, tha me optimizëm në fjalën e tij të parë si trajneri i Skënderbeut, Skënder Gega./Ora News/.