Rusia merr 16 mijë rekrutë nga Lindja e Mesme për luftën në Ukrainë

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka rënë dakord që të dërgojë vullnetarë nga Lindja e Mesme në Ukrainë.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, rreth 16 mijë vullnetarë nga Lindja e Mesme janë gati për të luftuar krah forcave ruse në Ukrainë.

Mbrojtja ruse gjithashtu njoftoi se armët e konfiskuara nga ushtria ukrainase do të dërgoheshin në dy republikat e vetëshpallura separatiste Donjeck dhe Luhansk, për t’i përdorur kundër forcave të Kievit.

Ndërkohë në shumicën e qyteteve në Ukrainë janë raportuar shpërthime gjatë natës e deri në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Një fushë ajrore dhe një fabrikë e motorëve e avionëve ka qenë objektiv i sulmeve në qytetin Lutsk, në veriperëndim të vendit.

Gjithashtu si pasojë e sulmeve ajrore është vrarë një person në qytetin Dnipro.

Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll qytetin e rëndësishëm strategjik të Volnovankas, në veri të portit të Mariupollit.

Qytetit i Çernhivit ka humbur furnizimin me ujë si pasojë e sulmeve ajrore të cilat goditën infrastrukturën e ujësjellësit të qytetit.

Imazhet satelitore tregojnë se ushtarët rusë po përparojnë ngadalë dhe janë ri-vendosur nëpër pyje, ndërsa vijojnë avancimin drejt kryeqytetit të Kievit.

Forcat ruse janë duke rrethuar disa qytete të reja të Ukrainës.